E Diel, 1 Nëntor 2026

Barnat e rimbursuara, rritet numri i përfituesve nga skema në Kukës

Në qarkun e Kukësit janë rreth 5 mijë e 975 pacientë që përfitojnë aktualisht nga skema e rimbursimit të barnave. Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Kukës, Liman Morina, bën të ditur se institucioni ka përcaktuar një fond të mjaftueshëm për të përballuar nevojat e pacientëve përfitues të kësaj skeme.

“Për vitin 2026, fondi i akorduar ka qenë 106 milionë lekë për të gjithë qarkun, i cili përdoret vetëm për insulinën. Kemi edhe një fond tjetër për fishat e diabetit, që është 2 milionë e 700 mijë lekë. Kemi edhe një fond për stomat, të cilat kanë hyrë për herë të parë para një viti në listën e rimbursimit për një sëmundje që nuk ka qenë më parë. Ky është një fond prej 2 milionë e 200 mijë lekë”, u shpreh Liman Morina, Drejtor i FSDKSH në Kukës.

Pjesa më e madhe e përfituesve janë pacientë me sëmundje kronike, ndërsa ndër kategoritë kryesore përfshihen personat që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës dhe patologji të tjera që kërkojnë trajtim të rregullt me medikamente.

“Numri i pacientëve që përfitojnë nga rimbursimi i ilaçeve është 5 975 pacientë në rang qarku. Sëmundjet kryesore për të cilat pacientët përfitojnë rimbursim të ilaçeve janë diabeti, sëmundjet kardiake dhe sëmundjet pulmonare”, tha ai.

Referuar të dhënave ndër vite, numri i pacientëve që përfitojnë nga skema e rimbursimit në qarkun e Kukësit ka ardhur në rritje.

“Janë shtuar 35 barna të reja, gjithashtu janë shtruar dhe 125 alternativa të reja”, tha Morina.

Në të gjithë qarkun funksionojnë 24 qendra shëndetësore, të cilat u shërbejnë banorëve të zonave urbane dhe rurale. Skema synon të lehtësojë barrën financiare të pacientëve, veçanërisht të atyre që kanë nevojë për medikamente të përditshme dhe trajtime të vazhdueshme.

Gazetare: Sh. Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›