E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim të viktimave të diktaturës, Autoriteti i Dosjeve evidenton të vrarët ende të pagjetur në Shkodër

Varrezat e Rrmajit në Shkodër, një prej vendeve simbol të persekutimit komunist, do të jenë tashmë edhe një hapësirë zyrtare kërkimi për personat e vrarë nga regjimi diktatorial, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende. Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, bëri të ditur se vetëm në qarkun e Shkodrës janë evidentuar 372 persona të vrarë gjatë diktaturës, të cilëve ende nuk u janë gjetur trupat.

“Nga mbi 600 që ne na rezulton se kanë kaluar në këtë kalvar të humbjes tragjike, çnjerëzore, të jetës, kemi filluar procese hetimore për vendet ku dyshohet se ka mbetje mortore dhe ku mund të gjejmë trupat e parekuperuar të këtyre personave. Shpallet sot varreza si vend kërkimi. Ka pasur tre ngjarje të forta të pushkatimeve në grup të figurave të rëndësishme shkodrane”, u shpreh Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit të Dosjeve.

Rëndësinë e Rrmajit si vend i kujtesës dhe dëshmisë e theksoi edhe Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine.

“Nuk është vetëm një varrezë ku prehen të dashurit tanë të ndjerë, por është, në të vërtetë, një vend dëshmie, dhimbjeje dhe kujtese”, tha Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Arqidioqezës Shkodër-Pult.

Pjesë e aktivitetit ishin edhe familjarët e personave të zhdukur. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur. Në kuadër të tij u përurua edhe Ekspozita e Përhershme Informuese në Varrezat e Rrmajit, kushtuar viktimave të regjimit komunist.

Gazetar: M. Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›