Barometri Shqiptar i Sigurisë 2024, shfrytëzimi i anketave të opinionit publik për politikëbërje dhe reforma sa më efektive

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj Valikaj, si dhe deputetët: Denis Deliu, Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho, morën pjesë në aktivitetin me temë “Ndërlidhja mes opinionit publik dhe politikave: Gjetje dhe perceptime nga Barometri Shqiptar i Sigurisë 2024”, të publikuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Në fjalën e saj përshëndetëse Felaj vlerësoi rolin e ekspertëve dhe shoqërisë civile në përçimin e opinioneve të qytetarëve dhe gjetjen e mekanizmave për të përthithur dhe integruar në formulimin dhe zbatimin e politikave të sigurisë.
“Siguria është një nocion i gjerë; sot flasim për siguri personale, komunitare, politike, ekonomike, shëndetësore, mjedisore, flasim dhe për stereotipe me bazë gjininë që çojnë edhe ato në cenim të sigurisë. Është një gjë e mirë që mund të flasim dhe përfitojmë nga gjetjet e ekspertëve, të mund të debatojmë, po ashtu në mënyrë konstruktive, pasi që të ndërtosh kjo kërkon sa vullnet të mirë, aq edhe përgjegjshmëri”, u shpreh Felaj.
Deputetët Denis Deliu, Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho diskutuan në panelin e organizuar mbi rolin e qytetarëve në formësimin e politikave dhe shfrytëzimin e anketave të opinionit publik për politikëbërje dhe reforma sa më efektive.
1 nga 6