E Diel, 1 Nëntor 2026

Baronesha Ashton në Tiranë, takohet me Nishanin dhe Berishën

Përfaqësuesja për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton ka nisur axhendën e takimeve në Tiranë me një takim me kreun e shtetit, Bujar Nishani.

Takimi në Presidencë ka zgjatur rreth 45 minuta ndërsa më pas Baronesha Ashton është pritur në kryeministri nga kreu i qeverisë, Sali Berisha.

Në axhendën e takimeve është përfshirë edhe një takim me kryesocialistin Edi Rama ndërsa në orën 13:10 ajo do të japë një konferencë për mediat.

Tema kryesore e takimeve të kryediplomates europiane pritet të jetë perspektiva europiane e vendeve ballkanike.

Vizata e Ashton vjen në një kohë, kur klima politike në Shqipëri është nxehur për shkak të debatit për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së.

Ndërkohë nesër Tiranën do ta vizitojë edhe diplomati amerikan, Jonathan Moore së bashku me dy raporterët e Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco.

Moore është drejtori i Drejtorisë për Euroazinë, në Departamentin Amerikan të Shtetit.  Nga ana tjetër  sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Këshillit të Europës dy raportuesit  Evans dhe Petrenco  do të jenë në Tiranë nga data 17 prill deri më 19 prill dhe do të kenë takime me presidentin, kryeministrin, Ministrin e Drejtësisë dhe disa komisione parlamentare.

Bisedime do të zhvillohen gjithashtu edhe me delegacionin e përhershëm të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, me lider të partive politike, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Diskutimet do të fokusohen në veçanti në përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare, progresit të bërë nga Shqipëria përsa i përket kërkesës për marrjen e vendit kandidat në Bashkimin Europian, reformën në autoritetin rregullator të medias dhe çështje të minoritetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›