Baronesha Ashton viziton sot Beogradin, nesër Prishtinën
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, do të qëndrojë sot në Beograd ndërsa nesër do të vizitojë Prishtinën.
Kjo vizitë bëhet pasi mbrëmë në Bruksel përfundoi rundi i 13 i takimit ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.
Gjatë vizitës në Beograd Baronesha Ashton do të takohet me presidentin Tomisllav Nikoliç, kryeministrin Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiç.
Sipas njoftimit të BE-së, Baronesha Ashton gjatë vizitës në Prishtinë, do të takohet me presidenten Atifete Jahjaga dhe me kryeministrin Hashim Thaçi.
Ndërkohë mësohet se gjatë takimit të djeshëm, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic i kanë përafruar qëndrimet për arritjen e marrëveshjeve për telekomin dhe energjinë.
Arsyeja e mos nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve në raundin e së hënës që zgjati disa orë pasdite ishte interpretimi gjuhësor që pala serbe ka kërkuar tu bëhej marrëveshjeve.
Sipas mediave kosovare, pala serbe i ka pranuar gjitha konkluzionet e Bashkimit Evropian për të dyja marrëveshjet mirëpo ka kërkuar disa fjalë të lihen me dykuptimësi për ta shitur si fitore në publikun serbë.