Barroso: Kriza greke mund të frenohet
Kryetari i Komisionit Evropian Zhoze Manuel Baroso tha sot se ai është i bindur se kriza e borxheve të Greqisë mund të frenohet.
Greqia po zhvillon negociata me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për ndihmën prej 45 miliardë eurove, për të cilën Athina thotë se i nevojitet deri në 19 maj që të shmangë borxhe të reja.
Gjatë një vizite në Pekin, Barroso shprehu bindjen se bisedimet do të konkludohen "në ditët e ardhshme".
Plani nuk është popullor në Greqi për shkak të kushteve të rrepta, gjë që ka shkaktuar protesta të mëdha.
Tregjet financiare sikur u stabilizuan pas lajmeve se ndihma për Greqinë është e pashmangshme. Bursat aziatike sot gjithashtu shënuan rritje, ndërsa euroja u ngrit nga niveli më i ulët ndaj dollarit.