E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barrozo uron Berishën për qeverinë e re: KE do ju mbështesë për integrimin

Bruksel, 17 shtator, NOA - Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barrozo, uroi përmes një mesazhi të posaçëm kryeministrin Berisha për riemërimin e tij si kryeministër i vendit dhe miratimin e qeverisë së re.

Në emër të Komisionit Evropian dhe emrin tim, do të dëshiroja tju uroja për rizgjedhjen tuaj si kryeministër i Shqipërisë dhe miratimin nga parlamenti të qeverisë së re që Ju drejtoni, nis mesazhi i urimit të Barrosos, i cili vetë dje ka marrë miratimin për të drejtuar edhe një mandat të ri institucionin e Komisionit Evropian.

Sipas tij, tani që ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ai beson se qeveria shqiptare do të tregojë vendosmëri në përmbushjen e sfidave drejt integrimit evropian, veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.

Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve të vendit tuaj në këtë proces. Shqipëria ka dëshmuar vullnetin e saj në nxitjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe kam besim se vendi juaj do të luaj një rol konstruktiv në Rajon. Ju uroj suksese në trajtimin e sfidave që ju presin përpara dhe në punën për përmbushjen e të ardhmes evropiane të Shqipërisë, përfundon mesazhi i Barrosos.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›