Basesku, Topit: “Minoritetit arumun ti jepet statusi i minoritetit kombëtar”
Presidenti rumun, Trajan Basesku, në vizitën e tij të djeshme njëditore në Tiranë, i kërkoi kreut të shtetit, Bamir Topi, që minoritetit arumun t’i jepet statusi i një minoriteti kombëtar përtej atij të një minoriteti etno-gjuhësor që ekziston deri tani. Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Topi, Basesku tha se “kemi kërkuar dhënien e statusit të minoritetit kombëtar për arumunët. Ata janë shtetas të besuar të shtetit shqiptar, të cilët kanë treguar se e meritojnë këtë vlerësim”, - tha Basesku. Ndërsa presidenti Topi e siguroi atë: “Në Shqipëri, jo vetëm mbi bazën e konstruksionit dhe të kuadrit ligjor shqiptar, por edhe mbi bazën e një realiteti konkret, respekti për çdo qytetar që banon në Republikën e Shqipërisë rezulton i barabartë për të gjithë. Ndërsa në rastin konkret, ky konsiderohet si një komunitet etno-gjuhësor, i cili është konfirmuar në dy raporte; në Raportin e parë dhe në Raportin e fundit të vitit 2007 në Këshillin e Europës, që konfirmon në mënyrë zyrtare minoritetet zyrtare në Shqipëri dhe duke qenë konsekuent i linjave që përshkojnë Këshillin e Europës në dokumentet themeltare të tij, ne vazhdojmë t’i qëndrojmë këtij pozicioni”. Përsa i përket pavarësisë së Kosovës, Basesku ka përsëritur qëndrimin e Rumanisë se nuk do ta njohë pavarësinë e saj dhe kjo jo se “Rumania nuk respekton kosovarët, por nga respekti për të drejtën ndërkombëtare”. Nga ana e tij, presidenti Topi është optimist dhe i bindur se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ky proces i njohjes do të vazhdojë më shumë, dhe kjo falë punës së udhëheqjes së Kosovës, e cila, sipas Topit, po punon për ruajtjen e stabilitetit dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit në Kosovë.
Presidenti Basesku dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron u pritën me një ceremoni solemne në Pallatin e Brigadave nga presidenti Topi. Pas takimit mes dy presidentëve, në prani të tyre u nënshkrua "Memorandumi i mirëkuptimit në fushën e Komunikacionit dhe Informacionit të Teknologjisë", si dhe "Protokolli i Bashkëpunimit midis Porteve".
9 Qershor 2010