Partia Socialiste, hetim buxhetit të Parlamentit nga viti 2005 deri në vitin 2009
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste aktualisht po punon në grup për ngritjen e komisionit hetimor ndaj kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për hetimin e buxhetit të institucionit që ajo drejton. Burime brenda selisë rozë kanë konfirmuar lajmin për hetimin e Topallit. Grupi i punës po mbledh informacione për menaxhimin e financave që nga viti 2005, kur ajo është zgjedhur spikere e Parlamentit e deri në vitin 2009. Propozimi për ngritjen e këtij komisioni ka ardhur nga deputeti Erion Braçe. Bëhet me dije se vendimi për hetimin e kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, ka ardhur për shkak se në mbledhjet e komisionit, që merret posaçërisht me këtë çështje, nuk njoftohen të marrin pjesë asnjëri nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, përkatësisht Erion Braçe dhe Mimi Kodheli.
Shpenzimet
Akuza për shpërdorim të financave të Parlamentit nga kryetarja Topalli është bërë në seancën e ditës së enjte nga deputeti socialist Taulant Balla. Deputeti Balla e ka akuzuar Topallin se merr 17 milionë lekë në vit për të paguar apartamentin në Shkodër, ndërsa harxhon rreth 27 mijë euro për udhëtimet jashtë shtetit. “Zonja drejtuese e seancës, që je bërë si brigadierja Lume te filmi ‘Parullat’. Ti di të përdoresh gomën, jo lapsin. Ti di të fshish, jo të ndreqësh. Nuk do të vonojë dita që transparenca t’i kthehet Kuvendit të Shqipërisë dhe shqiptarët të marrin vesh që t’i harxhon 17 milionë lekë në vit për të paguar një apartament në Shkodër dhe 27 mijë euro dieta për rrugët jashtë shtetit”, - është shprehur Balla.
Pagat
Por akuzat ndaj Topallit kanë qenë të njëpasnjëshme. Socialistët, kryetaren e Kuvendit nuk e akuzojnë vetëm për shpërdorim të buxhetit të këtij institucioni, por e kanë akuzuar edhe për mbajtjen e rrogave të tyre të muajit maj. Në seancën e kaluar, deputetët e PS-së e kanë akuzuar Topallin se po u mban rrogën me qëllimin për të sulmuar opozitën. “Ne kemi menduar se në tentativë për të shtypur opozitën, kryeministri nuk ka pasur konkurrentë, por këta muajt e fundit je ti që nuk ke konkurrencë, madje ia ke kaluar edhe bosit tënd. Ti na mat orarin, ti na vjedh rrogat tona; ky është sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe demokracisë”, - është shprehur deputeti Arben Ahmetaj në adresë të Topallit.
Starova rizgjidhet President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë
Konventa e Pestë e Këshillit Atlantik të Shqipërisë, në të cilën u diskutua rreth veprimtarisë së saj katërvjeçare të viteve 2006-2010 dhe synimeve të veprimtarisë së saj në katër vitet e ardhshme, zgjodhi dhe forumet e reja drejtuese të KASH.
Në këtë mbledhje u theksua në mënyrë të veçantë nevoja e rritjes së rolit dhe veprimtarisë informuese publike të Këshillit Atlantik si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe e strategjisë së re të NATO-s. Vëmendje e veçantë e katër vjetëve të ardhshëm do të jetë rritja e rolit informues në lidhje me çështjet e NATO-s dhe të sigurisë ndërkombëtare, sidomos në radhët e rinisë, forcimi i përmasës e kërkimore për problemet e sigurisë dhe të rolit ndërkombëtar të NATO-s dhe rritja e rolit të Këshillit Rinor të Atlantikut. Në fund të mbledhjes u miratuan ndryshimet në statutin e Këshillit Atlantik, u zgjodh Forumi Drejtues i ri i Këshillit Atlantik të Shqipërisë dhe drejtuesit e tij.
Presidenti i Këshillit Atlantik të Shqipërisë u rizgjodh Dr. Arian Starova. Konventa zgjodhi edhe pesë zëvendëspresidentët: Aldo Bumçi, Luan Rama, Musa Ulqini, Petrit Karabina dhe Glori Husi.
9 Qershor 2010