Basha: Akuzat, plan diabolik për të barazuar viktimën me xhelatin

“Është një shpifje e trashë. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në asnjë shtëpi të verdhë, siç pretendohet, e aq më pak të kem përkthyer për zotërinë në fjalë”.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha e ka mohuar kategorikisht të ketë shoqëruar dhe përkthyer për një punonjës të OKB-së në Shqipëri. “Por pretendimi i tij se paskemi qenë së bashku në Shqipëri, është një shpifje e trashë. Siç ju thashë, në vitin 2004 përgjegjësia ime ka qenë të përgatitja tranzicionin e Departamentit të Drejtësisë tek sistemi kosovar i drejtësisë. Zotëria në fjalë ka pasur një detyrë krejt tjetër, ku rezulton se ka 1800 trupa ende të pagjetur dhe ky është problemi kryesor dhe kjo është edhe arsyeja kryesore për të cilën ngrihen këto akuza”, - tha Basha në një intervistë dje.
Çfarë qëndrimi keni për raportin e Dik Martit?
Komenti im sot është i njëjti koment i bërë në kohën kur kam qenë ministër i Jashtëm dhe kur u publikuan në kujtimet e zonjës Del Ponte të ashtuquajturat akuza për trafik organesh. Bëhet fjalë për pretendime të cilat asnjëherë nuk u vërtetuan nga asnjë fakt, nga asnjë provë, pra bëhet fjalë për pretendime të pabazuara.
Raporti i Dik Martit bën një riciklim të këtyre pretendimeve të pabazuara, të pavërtetuara nga asnjë provë, nga asnjë fakt, e përsëris edhe një herë, por i shton kësaj historie shpifjesh tentativën për të përlyer lidershipin kosovar, Kryeministrin Thaçi, dhe komenti im këtu është që nuk bëhet fjalë thjesht për të përlyer një person, qoftë ky edhe Kryeministri i Kosovës, por për një plan diabolik për të barazuar viktimën me xhelatin, për të përlyer sakrificën e mijëra fëmijëve, burrave dhe pleqve kosovarë, që humbën jetën gjatë represionit gjenocidal serb në Kosovë, si dhe për të dëmtuar imazhin dhe përpjekjet e shtetit të ri të Kosovës në rrugën e këtij shteti drejt aspiratave të qytetarëve të tij për integrim të plotë në Bashkimin Evropian.
Sot një e përditshme ka botuar një intervistë me një ekspert mjeko-ligjor të OKB-së, sipas të cilit ju keni përkthyer për të në shtëpinë e verdhë gjatë vitit 2004. Si qëndron e vërteta?
Është një shpifje e trashë. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në asnjë shtëpi të verdhë, siç pretendohet, e aq më pak të kem përkthyer për zotërinë në fjalë. Në vitin 2004, unë nuk kam punuar për Tribunalin. Kam qenë në UNMIK përgjegjës për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dhe transferimin e kompetencave të UNMIK kësaj ministrie. Mbaj mend që zotëria është marrë në punë për të ndihmuar procesin e identifikimit dhe ekzaminimit të eshtrave të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe se fatkeqësisht në këtë kontekst akoma figurojnë 1800 qytetarë shqiptarë, të cilëve nuk u janë gjetur akoma trupat.
Ky person, siç thashë, është marrë në punë me kontratë për të ndihmuar në procesin e identifikimit dhe hetimit të eshtrave të shqiptarëve të ekzekutuar gjatë luftës në Kosovës. Në këtë kontekst kam pasur disa kontakte pune me të dhe në veçanti në procesin e zhvarrimit, ekzaminimit dhe rivarrimit të eshtrave të familjes Jashari.
Por, pretendimi i tij se paskemi qenë së bashku në Shqipëri është një shpifje e trashë. Siç ju thashë, në vitin 2004, përgjegjësia ime ka qenë të përgatitja tranzicionin e Departamentit të Drejtësisë tek sistemi kosovar i drejtësisë. Zotëria në fjalë ka pasur një detyrë krejt tjetër, ku rezulton se ka 1800 trupa ende të pagjetur dhe ky është problemi kryesor dhe kjo është edhe arsyeja kryesore për të cilën ngrihen këto akuza. Heqjen e mendjes nga një çështje kaq e ligjshme, siç është asnjë e dhënë për fatin e 1800 viktimave të luftës me gjasë në territor serb dhe zhvendosja e vëmendjes në akuza, pretendime false të pavërtetuara asnjëherë dhe pa u shënuar nga asnjë fakt apo provë e vetme.
Çfarë qëndrimi mendoni se duhet të mbajë Këshilli i Evropës për këtë raport dhe këto akuza?
Absolutisht këto akuza dëmtojnë kredibilitetin e organeve përkatëse, dëmtojnë edhe kredibilitetin e Këshillit të Evropës, i cili nuk mund të tolerojë që të hartohen raporte të tilla absurde, të pabazuara në fakte dhe prova dhe të heshtë për fatin e 1800 të zhdukurve. Akoma kjo është çështje e pazbardhur.