Katuçi: Basha nuk ka shkelur kurrë në shtëpinë time

Abdulla Katuçi pohon se nuk e ka parë kurrë nga afër ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe se ai nuk ka shkelur asnjëherë në shtëpinë e tij. Në fakt për ne të “Standard”, që e kemi vizituar Katuçin në shtëpinë e tij më shumë se një herë, ky nuk është një fakt i ri. Banorët e asaj shtëpie i mbanin mend mirë personat që kishin vizituar vendin, madje edhe përkthyesin që sipas kërkimeve tona rezulton të jetë akoma me punë si përkthyes pranë Gjykatës së Hagës. Katuçët njohën në fotografi vetë Jose Pablo Bayrbarin, ekspertin mjekoligjor që thotë se Basha ka qenë me të në Mat, por as atëherë, as sot nuk kanë përmendur se ministri ka qenë në shtëpinë e tyre. Familja Katuçi në Gurrë të Matit vazhdon të ngrejë supet teksa dëgjon të ripërsëriten akuzat ndaj shtëpisë së tyre, se është përdorur si qendër për grumbullimin e robërve serbë dhe heqjen e organeve të tyre. Pas publikimit të raportit të raportuesit të KE-së, Dik Marti i cili thekson se zotëron prova që dëshmojnë se banesa e tyre, e njohur si Shtëpia e Verdhë ka shërbyer si vendi ku UÇK kryente transplant organesh të robërve serbë. Abdulla Katuçi pretendon se gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Verdhë, 2 vite më parë, Dik Marti tentoi të hidhte eshtra në banesë, ndërsa kërkon nga shteti që të padisë raportuesin e KE-së dhe ish-kryeprokuroren e Hagës. Katuçi hedh poshtë çdo akuzë të raportit sikurse mohon pretendimet se Lulzim Basha ka shkelur në shtëpinë e tij. “Ministri i Brendshëm nuk ka shkelur në shtëpinë e time”, - tha Katuçi. Banorët shprehen të bindur se nuk kanë parë asnjë ushtar apo civil serb të kapur rob, ndërsa pohojnë se 2 vite më parë, një ekip investiguesish të huaj ka kontrolluar çdo cep të kullës dykatëshe në pronësi të tyre. Sipas familjes Katuçi, gjithçka që rezultoi pas këtyre kontrolleve, rrëzon akuzat e Dik Martit sikurse rrëzoi ato të ish-kryeprokurores Karla del Ponte, në kohën e botimit të librit të saj “Gjuetia”.