E Enjte, 5 Nëntor 2026

Basha: Amendamentet e PD për SPAK, akte konkrete për luftën ndaj korrupsionit

TIRANË, 30 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit, u shpreh sot se propozimi i Partisë Socialiste që pritet të votohet për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, është për të varrosur një ide të mirë apo të mos bësh asgjë.

Basha tha se të vetmet akte të depozituara në Kuvend për luftën kundër korrupsionit, janë propozuar nga PD dhe ato janë amendamentet që ndihmojnë SPAK-un, ligjin për vetingun e politikanëve dhe projektvendimin për heqjen e imunitetit të parlamentarëve.

“Të vetmet akte të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë në luftë kundër korrupsionit, janë të varrosura në sirtarët e pluhurosur të kësaj shumice të përmbysur moralisht nga aferat korruptive të kësaj qeverie të zhytur deri në grykë në këto afera”, tha Basha.

“Zonja Kryetare e Kuvendit, ka më shumë se një muaj që në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar amendamente e Partisë Demokratike për të ndihmuar SPAK-un financiarisht me burime njerëzore dhe me amendime të kodit të procedurës penale. Pse refuzoni të paktën ta sillni për diskutim? Çfarë ju shtyn të mbani për më shumë se 6 muaj e gjysmë larg transparencës, larg debatit parlamentar, larg votimit në parlament propozimin tonë për barazinë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë para ligjit, përmes heqjes së imunitetit të parlamentarëve? Pse bëni sikur nuk e shikoni propozimin tonë, ligjin për vetingun e politikanëve, që ka që në 15 nëntor në Kuvendin e Shqipërisë? Korrupsioni më i madh në Shqipëri është korrupsioni zgjedhor. Keni propozimet tona për listat e hapura, për barazinë e votës, për votimin elektronik dhe jo vetëm që nuk i sillni, por minuat në mënyrën më tinëzare komisionin e Reformës Zgjedhore, duke skaduar afatet muaj pas muaji, në mënyrë që të organizoni një tjetër batërdi elektorale”, u shpreh Basha.

“Refuzimi juaj për të sjellë në këtë parlament ligjin për vetingun e politikanëve, refuzimi juaj për të sjellë në këtë parlament projektvendimin për heqjen e imunitetit të parlamentarëve, janë shprehje më të qarta të mungesës tuaj totale të vullnetit për luftë kundër korrupsionit, të faktit që edhe komiteti apo komisioni që doni të krijoni nuk është gjë tjetër veçse një gjethe fiku për 10 muajt që i kanë mbetur një mazhorance 11 vite të zhytur kokë e këmbë në korrupsion”, përfundoi Basha.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›