Basha: Brenda 2 viteve të qeverisjes sonë pensioni minimal do të jetë 250 euro, ai mesatar 450 euro

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, foli gjatë një takimi me një familje tiranase në degën numër 8 në kryeqytet, për programin e Koalicionit Euroatlantik, për shqetësimet e pensionistëve.
Sipas Bashës, programi i Koalicionit Euroatlantik parashikon për këtë kategori një pension minimal prej 250 eurosh, dhe atë mesatar prej 450 eurosh brenda dy viteve të para të qeverisjes.
Sipas drejtuesit politik të Koalicionit Euroatlantik, të gjithë pensionistët me të ardhura nën 300 euro do të përfitojnë një kompensim fiks mujor për ilaçet dhe energjinë elektrike, ndërsa reforma e re e sistemit të pensioneve do të garantojë një plan të qëndrueshëm afatgjatë për brezat e ardhshëm.
“Me programin e Koalicionit Euroatlantik, pensioni minimal do të jetë 250 euro brenda dy viteve të para të qeverisjes sonë. Kjo do të bëhet me një indeksim progresiv që garanton fuqinë blerëse të pensionistëve. Pensioni mesatar do të arrijë 450 euro brenda mandatit të parë, duke rritur mbështetjen për pensionistët sipas kontributeve të tyre dhe duke siguruar që askush të mos mbetet pas. Shtesa mujore për ilaçe dhe energji – të gjithë pensionistët me të ardhura nën 300 euro do të përfitojnë një kompensim fiks mujor për të mbuluar kostot bazë të shëndetësisë dhe energjisë elektrike. Një reformë e re e sistemit të pensioneve që garanton mbështetje më të madhe për ata me pensione më të ulëta dhe një plan të qëndrueshëm afatgjatë për brezat e ardhshëm. Kjo nuk është thjesht një premtim, por një plan i realizueshëm, i bazuar në përvojën ndërkombëtare dhe në mundësitë reale të Shqipërisë. Pensionistët meritojnë më shumë, dhe ne do ta bëjmë realitet”, premtoi Basha.
/rtsh.al/