E Enjte, 5 Nëntor 2026

Basha: Italia, mbështetësja kryesore e integrimit të Shqipërisë në BE!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar këtë të martë një takim me kryetarin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në parlamentin italian, Piero Fassino.

Basha njofton se në takim u diskutua për procesin e integrimit europian, proces i cili ka mbështetjen e plotë të PD.

“Italia ka qenë dhe vazhdon të mbetet mbështetësja kryesore e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Diskutuam për procesin e integrimit europian, proces i cili ka mbështetjen e plotë të PD. Pa integrimin në BE, nuk do mund të sigurojmë standardet europiane të jetesës. E njoha zotin Fassino me prioritet e PD, që nga lufta kundër korrupsionin që po gërryen ekonominë dhe mirëqenien tonë, si dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të cilën është ngritur me kërkesën e PD komisioni për reformën Zgjedhore. Po ashtu për një shërbim sa më të  mirë për qytetarët, ne kemi mundësuar ngritjen e një komisioni për reformën territoriale dhe një ndarje të re administrative”, tha ai.

Basha thotë se në takim u diskutua edhe për çështjen e rajonit, situatën në Bosnjë Hercegovinë dhe marrëveshja reciproke Kosovës dhe Serbisë.

“Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon. Situata në Bosnjë Hercegovinë kërkon një reagim të shpejtë, të vendosur dhe të koordinuar të vendeve anëtare të BE, për ti mbyllur të gjitha çështjet e mbetura pezull në rajon, siç është dhe marrëveshja me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Është në interesin më të mirë të çdo vendi të rajonit, të lërë pas të shkuarën dhe të bashkëpunojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›