Basha: Kjo mazhorancë ka vjedhur vota në Lezhë e kudo tjetër
Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në takimet e tij në Fier e Patos se kjo mazhorancë e re ka vjedhur votat jo vetëm në Lezhë.
Deklaruan 300 mijë vende pune. Në fakt kanë hyrë në garë me njëri-tjetrin se kush sjell më shumë militantë dhe CV militantësh, por nuk kanë ndërmend të na ofrojnë asnjë politikë se si do të punësojnë 300 mijë shqiptarë.
Një nga premtimet e para që po shkelmojnë është taksa progresive dhe heqja e taksës për 95% të shqiptarëve sepse ju e keni vënë re se ka një javë që kanë filluar të thurin lavde taksës së sheshtë të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës.
Krahas ngritjes së zërit dhe qëndrimit të fortë për çdo çështje ne na lind sot detyra para kësaj mazhorance të zhbërë nga pesha e mashtrimit, e vjedhjes së votave në Lezhë e kudo tjetër, e shitblerjes së votave e kudo tjetër, që të përballemi me ta jo vetëm nëpërmjet instrumenteve normalë të çdo opozite por ti ofrojmë sot gatishmërinë tonë dhe platformën tonë për tu kthyer një orë e më parë si forcë qeverisëse e gjithë Shqipërisë, u shpreh Basha.
Basha e ka konsideruar si prioritetin kryesor të ringritjes dhe fillimit të PD-së vlerësimin e kontributit të çdo anëtari dhe përfshirjen e tij në vendimmarrje. Kjo sipas Bashës do të jetë e sanksionuar dhe në statut.
Është e domosdoshme që në mënyrë statutore ti jepet garanci sot në opozitë dhe nesër në mazhorancë që kontributi i çdo anëtari të Partisë Demokratike, i çdo militanti, i themeluesit, i qëndrestarit të përkthehet në mënyrë të barasvlefshme në meritë, në mundësi, në vlerësim sot, në çështjet partiake dhe nesër në administrimin, ndarjen dhe menaxhimin e pushtetit. Ju garantoj se në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë për mua ky do të jetë hapi i parë dhe më kryesori në punën që na pret, përfundoi Basha./ep