E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Letra e Ramës për Barroson, shfajësim i panevojshëm

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha e ka cilësuar letrën e Ramës drejtuar presidentit të KE-së Barroso si një shfajësim të panevojshëm. Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve të gazetarisë të Universitetit të Tiranës mbi rolin e opozitës për liberalizimin e vizave dhe për letrën drejtuar Kryekomisionerit Barroso Ministri i Brendshëm Basha theksoi se nuk ka parqë asnjë kontribut thelbësor nga opozita për liberalizimin e vizave.
"është e lehtë të kritikosh sot kur kontributi yt është mjaftuar me lëvizje mbi dhe nën rrogoz kundër disa prej kritereve themelore që Shqipëria përmbushi, që qeveria shqiptare ishte e angazhuar të përmbushte në drejtim të liberalizimit të vizave. Në këtë kuadër më vjen keq por duhet të risjell në vëmendje goditjet e dështuar ndaj integritetit të sistemit të dokumentave të sigurta, të letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, apo deklarata të tjera të papërgjegjshme përsa i përket potencialit migrator të Shqipërisë, apo sigurisë së kufijve, luftës kundër krimit etj" theksoi Basha.
Ai shtoi më tej se nuk është absolutisht i kënaqur si Ministër i Brendshëm, por edhe si koleg deputet me kontributin institucional të opozitës në këtë drejtim ndonëse ka një rezolutë parlamentare kjo mbetet në suazën e një deklarate, deklarative. Sipas tij kuptimi thelbësor që është vërejtur me shqetësim janë përpjekjet për ta vonuar apo për ta dëmtuar qoftë edhe nga ana e imazhit përpjekjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave jo nga opozita në tërësi por nga eksponentë të rëndësishëm të opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›