E Enjte, 5 Nëntor 2026

Basha: Marrëveshja Rama-Berisha për mbylljen e listave, atentat ndaj demokracisë

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë zhvilluan sot një tryezë me parti politike dhe këshilltarë bashkiakë të forcave të Harkut Opozitar Euroatlantik. Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në fjalën e tij tha se marrëveshja Rama-Berisha për mbylljen e listave është një atentat ndaj demokracisë shqiptare.

Basha tha se marrëveshja për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Komisionin e Ligjeve, po shkrin në një Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Rithemelimin.

“Deri në këtë moment që flasim, falë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët në Parlamentin e Shqipërisë nuk i zgjedhin kryetarët e partive, por i zgjedhin qytetarët me parimin kush merr më shumë vota, përfaqëson qytetarët në Parlament si deputetë apo si deputete, sigurisht duke ruajtur kuotat gjinore dhe përfaqësimin e 1/3 nga zonjat dhe zonjushat, nga gratë dhe vajzat shqiptare”, tha Basha.

“Atentati ndaj demokracisë shqiptare, i cili është konkluduar ditën e djeshme, do të bëjë pikërisht këtë, të rimbyllë listat e hapura me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë tashmë prej 24 orësh e ka marrë vesh i madh e i vogël. Dhe më vjen mirë që edhe disa që akoma nuk u ka dalë narkoza e mashtrimeve dhe gënjeshtrave që kanë hedhur me shumicë dhe me skarcitet në dy vitet e fundit, tashmë po ndërgjegjësohen se ata që thërrisnin më shumë “kapeni hajdutin”, janë hajdutët e vërtetë të demokracisë shqiptare”, tha Basha.

“Ato janë jo vetëm ortakët e tyre në kulla ndërtimi, jo vetëm ortakët e tyre në oligarkë të përbashkët, jo vetëm ortakët e tyre në media, jo vetëm ortakët e tyre në korrupsion dhe lirimin e të korruptuarve, por tashmë dhe ortak të përbashkët për të shkrirë praktikisht në një Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Rithemelimin, pra për t’i rikthyer në pikën fillestare para big bengut të Katovicës, para se Ramiz Alia t’i ndante këtej oficerët e Sigurimit dhe këtej spiunët e Sigurimit”, u shpreh Basha.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›