Basha: Opozita duhet të fitojë betejën me veten

TIRANE, 13 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në një intervistë televizive se Kryeministri Rama ka 4 palë zgjedhje që premton votën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë.
Duke komentuar takimin e Kryeministrit Rama me shqiptarët në Greqi, Basha tha se disa detaje nga ky takim janë çështje për t’u zbardhur.
“Si udhëtuan këta njerëz, me shpenzimet e kujt udhëtuan aty, për të krijuar një mizenskenën e cila nuk bind askënd. Ne e dimë që në Greqi ka me qindra e mijëra bashkëatdhetarë, numrat varijojnë nga 600-900 mijë dhe afërmendsh, çdo politikan kryesor i vendit mund të organizojë një tubim nëse dëshiron të organizojë një tubim”, tha Basha.
Sipas tij, drama më e madhe që ka shkaktuar Edi Rama është shpopullimi i Shqipërisë.
Basha foli edhe për mënyrën që ai mendon se mund të sjellë ndryshimin e pushtetit.
“Shqiptarët presin alternativën dhe shpresën, si një instrument ndryshimi për mirë. Hera e fundit që ka ndodhur kjo është pothuajse e harruar. Ndryshimi vjen përmes luftës dhe politikës. Për 200 vite Evropa ka zgjedhur politikën për të zgjidhur konfliktet”, theksoi ai.
“Ndërkohë politika në Shqipëri është kthyer në biznes, nuk është më arti i zgjidhjes së kontradiktave dhe që të ecë para ekonomia. Opozita duhet të fitojë betejën me veten, para se të fitojë betejën me këtë qeveri. Duhet pastruar shtëpia për t’u përballur me qeverinë. Kemi brenda opozitës që kanë vendosur axhendën e tyre personale mbi atë të opozitës”, tha Basha.