Rama: Në 2030 Shqipëria gati për në BE, tendenca e largimeve nga vendi do ekuilibrohet

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive foli sot për largimin e të rinjve nga vendi.
Rama tha se, “këtë historinë që ikin të rinjtë se janë të pakënaqur, ikin për korrupsion, kjo është një tjetër mit. Një i ri i cili sot është në një periferi të Shqipërisë, është në një zonë të caktuar të Shqipërisë, ka të gjithë të drejtën e botës të thotë unë nuk dua të pres ndryshimin dhe të pres si babai im, jo do iki se ndryshimi është atje. Këtu fillon gjëja”, tha Rama.
“Sigurisht që Shqipëria nuk e ka sot forcën e brendshme që thotë pse të iki jam mirë këtu. Po ndryshon dhe kjo gjë. Kjo është pjesa më e vështirë dhe është pjesa që do t’i vendosë kapak të gjithë misionit tim dhe Shqipëria e 2030-s do të jetë një vend ku kjo tendencë do të jetë e ekuilibruar”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
I pyetur për integrimin në BE, Rama tha se, “sot ne jemi në një moment historik dhe jemi shumë pranë futjes në BE”.
“Në vitin 2023 Shqipëria do të jetë gati, që do të thotë do të plotësojmë të gjitha ato reforma jo për ata, po për vete dhe pastaj është çështje vendimmarrje. Por fakti që Shqipëria do të jetë gati nuk do të thotë që është gati të marrë diplomën atje, por është që të sillet si shtet brenda vetes si një shtet i BE-së”, tha Rama.