Basha: PD nuk mund të mbajë mbi shpinë hallet personale të Berishës

Ka nisur para pak çastesh mbledhja e kryesisë së PD-së, e cila po zhvillohet me dyer të mbyllyra. Mësohet se çështja kryesore që po diskutohet, lidhet me zhvillimet në PD dhe me nismën e paraqitur nga Berisha për thirrjen e Kuvendit të PD, për rrëzimin e Bashës nga posti i kryetarit të PD-së. Zoti Basha ka deklaruar se me Berishën izolohet PD nga SHBA. “E nisin betejën, me gjoja se unë paskam shkelur statutin, dhe askush nuk mund të thotë cilën pikë të statutit kam shkelur?. Sepse nuk ka, dhe vazhdon duke dhunuar statutin dhe çdo institucion të PD, dhe mbi të gjitha, duke fyer dhe poshtëruar anëtarësinë, madje edhe ata që besuan tek lëvizja e tij. PD nuk mund të funksionojë me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele, dhe Dodiku në Bosnje. Zoti Berisha duhet të perballej vetë me Departamentin Amerikan të Shtetit. Ashtu siç premtoi fillimisht, në mënyrë të përsëritur. Pa e përfshirë PD-në dhe grupin parlamentar të PD”, tha Basha.
Deklarata e Bashës
E thirra këtë mbledhje për të diskutuar e marrë sebashku një vendim shumë të rëndësishëm, për të sotmen dhe të ardhmen e Partisë Demokratike.
Prej dy muajve Sali Berisha ka vijuar një aksion që nuk ka lidhje me Partinë Demokratike, me të sotmen dhe të ardhmen e kësaj partie, me nevojën që kanë demokratët dhe shqiptarët për të parë PD të udhëheq vendin. Ka vendosur që një problem të tij personal me SHBA t’ja imponojë partisë si problem të PD.
Për këtë ka njoftuar në facebook një miting me datë 11 Dhjetor, që ngjan më shumë si një nevojë për t’i kundërvënë një pjesë të vogël të Partisë Demokratike, aleatit tonë më të rëndësishëm strategjik SHBA.
E drejtë e tij, ta bëjë, t’ia kundërvendosë, mund t’i shpallë edhe luftë nëse dëshiron, por këtë, siç kam thënë prej ditës së parë, nuk e bën dot as në emër të demokratëve dhe as në emër të PD. E nisin betejën me gjoja se unë paskam shkelur statutin, dhe askush nuk mund të thotë cilën pikë të statutit kam shkelur? Sepse nuk ka, dhe vazhdon duke dhunuar statutin dhe çdo institucion të PD, dhe mbi te gjitha duke fyer dhe poshtëruar anëtarësinë, madje edhe ata që besuan tek lëvizja e tij.
PD nuk mund të funksionoje me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele, dhe Dodiku në Bosnje.
Zoti Berisha duhet të perballej vetë me Departamentin Amerikan të Shtetit. Ashtu siç premtoi fillimisht, në mënyrë të përsëritur. Pa e përfshire PD dhe grupin parlamentar të PD.
Çfarë po kërkon Sali Berisha sot?
-PD të dalë kundër SHBA
-PD të kthehet në mburojë të interesave personale të SB
– izolimin e PD nga SHBA, sepse nuk ka asnjë dyshim se partneret nuk do të bashkpunojnë me nje organizëm që ka aktiv brenda vetes një individ të shpallur “non grata” për korrupsion nga SHBA, pavarësisht se çfarë pretendon zoti Berisha.
Partia Demokratike nuk mund të mbajë më mbi shpinë hallet e zotit Berisha. Hallet e tij janë të tij, jo të PD.