E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Penalizmi për vizat, ëndërr nga sirtari i Edi Ramës

23/04/2010 Ministri i Brendshëm mohon lajmin e disa mediave se Shqipëria rrezikon liberalizimin

TIRANË- Duke përfituar nga takimi me prokurorin e Leçes, ministri i Brendshëm Lulzim Basha hodhi poshtë dezinformimet e publikuara në disa media të shtypit të shkruar, sipas të cilave Shqipëria rrezikon liberalizimin e vizave për shkak të mospërmbushjes së kritereve. “Ka një keqpërdorim të disa mediave nga zoti Rama, i cili ka nxjerrë prapë nga sirtari ëndrrën e tij se Shqipëria do të penalizohet. E kundërta është e vërtetë. Presim së shpejti një propozim pozitiv nga Komisioni Evropian që do t’i hapë rrugën një vendimmarrjeje pozitive për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”. Kjo u deklarua nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili duke iu referuar edhe deklaratës publike të vetëm pak ditëve më parë të Komisioneres për Punët e Brendshme dhe Drejtësinë Malstrom dhe eurodeputëve Kukan dhe Fajon, tha se Komisioni Evropian do të ketë një raport pozitiv për Shqipërinë dhe se do të mbahet premtimi për marrjen e vendimit për heqjen e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës. Sipas Bashës, standardet e vendosura nga Shqipëria, si për sa i përket dokumenteve të identifikimit, ashtu edhe në sigurinë e kufijve janë më të lartat në rajon. Këto qëndrime ministri Basha i paraqiti në një komunikim me median pas takimit me Prokurorin e Antimafias së Leçes z. Cataldo Motta.

Në krye të MARRI-t

Iniciativa e azilit dhe refugjatëve, Shqipëria merr presidencën

Shqipëria mori presidencën dhe do të kryesojë për vitin në vazhdim Iniciativën rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët, MARRI. Gjatë forumit rajonal të MARRI-t që u zhvilluar në Budva, Mal i Zi, ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha vlerësoi arritjet e shënuara nga të gjitha vendet e rajonit gjatë presidencës së mëparshme malazeze. “Kjo iniciativë ka provuar të jetë jashtëzakonisht e suksesshme në bashkërendimin dhe harmonizimin e politikave të azilit, migracionit dhe trajtimit të refugjatëve në vendet e rajonit tonë. Si e tillë ka shërbyer për të avancuar vendet tona në rrugën e përmbushjes së kritereve për arritjen e liberalizimit të vizave”,- u shpreh Basha. Duke iu referuar faktit se të gjitha vendet e rajonit kanë konkretizuar standarde të larta në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve dhe në lëshimin e dokumenteve të sigurta të identitetit, Basha deklaroi se fokusi i përpjekjeve të presidencës shqiptare të MARRI-t do të jetë lëvizja e lirë e qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›