Basha: Programi i ri i PD shumë shpejt gati, nxjerr Shqipërinë nga gropa ku është futur

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, premtoi se programi i Partisë Demokratike do jetë shumë shpejt gati dhe është në interes të shqiptarëve.
Duke folur në Kuvendin Zgjedhor të degës 8 të PD në Tiranë, zoti Basha tha se Partia Demokratike po sulmohet pasi është e vetmja forcë politike që nuk futet tek zullumi i autokracisë.
“Është beteja e një pakice që do të mbajë këtë gjendje. Që e do Shqipërinë kështu, në kontrollin politik të një grupi politik, me një grusht njerëzish që menaxhojnë pasuritë dhe pushtetin ekonomik. Dhe me riciklimin e një grushti fytyrash që kanë dekada që okupojnë median shqiptare. Synimi është i qartë: pasuritë e këtij vendi, paratë e shqiptarëve, fatet e këtij vendi ti kontrollojnë një pakicë absolute. Kjo është autokracia, sundimi i njerëzve që e kanë marrë pushtetin dhe e mbajnë për veten e tyre dhe për një grusht klientësh të tyre” tha zoti Basha.
“Kjo s’ka lidhje me demokracinë, kjo është më afër asaj që kam parë 34 vite më parë. Është një diktaturë e një tipi të ri. Kështu e duan Shqipërinë, pa demokraci, pa zgjedhje të lira, pa gjykata, pa prokurorë të përgjegjshëm, oa hetime për të pandëshkuar 33 vjeçar. Pa prona për pronarët, pa kompensim për të përndjekurit dhe pa kujtesë”, shtoi ai
Zoti Basha mbrojti SPAK-un duke e thënë : “SPAK-u është e vetmja shpresë, ndaj duan ta mbysin. Nuk do t’ia dalin, jo vetëm pse PD e mbështet pa kushte, por sepse kemi ne krah SHBA-të dhe BE, vetëm me standardet dhe parimet që kanë shoqëritë e tyre. Sepse perëndimi garanton meritokaci pa pasur në qafë autokratët. Prandaj procesi që kemi nisur është i rëndësishëm. Ne demokratët besojmë se kemi vizionin, programin dhe shumë shpejt ekipin për një shpresë më të mirë. Ky program së shpejti do t’u paraqitet shqiptarëve, për ta nxjerr Shqipërinë nga kjo gropë ku është futur”.
“PD është këtu falë jush. Rruga përpara nuk është e lehtë. Ne nuk jemi si ata, ata nuk kanë lidhje me vlerat tona. Betejat nuk fitohen nga më të fortit, por nga më të vendosurit. Dhe demokratët e Shqipërisë demonstruan këto dy vite vendosmëri, për mos t’u përkulur para ortekut”, tha më tej kreu i demokratëve.
“Sulmohemi sepse ne nuk pranojmë të futemi në vathin e autokracisë politikë, oligarkisë ekonomike qe sot operohet nga të njëjta duar, që ditën bëjnë teatrin e gjoja ndeshjen politike dhe natën numërojnë paratë e pasuritë që ju grabisin së bashku shqiptarëve”, nënvizoi Basha.
“Jemi e vetmja parti politike jashtë sistemi të zullumit. Do të qëndrojmë jashtë sistemit të zullumit, do ta mundim zullumin dhe do t’ja japim shqiptarëve shpresën që meritojnë”, u shpreh ai.
“Pyetja është një për politikën shqiptare, jeni apo jo pro listave të hapura, jeni apo nuk jeni për barazinë e votës, jeni apo nuk jeni për Shqipëria një zonë zgjedhore, jeni apo nuk jeni për votën e diasporës? Reformë zgjedhore dhe mbështetje pa kushte për drejtësinë janë prioritete kryesore për PD”, tha Basha.
/ rtsh.al /