E Enjte, 5 Nëntor 2026

Basha: Rama nuk do që unë të jem në krye të betejës së demokratëve, beteja vazhdon!

Në takimin me demokratë të Dibres kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi dhe një herë votën për të drejtuar partinë, teksa i ftoi ata që të bëhen pjesë e procesit të brendshëm për zgjedhjen e kryetarit të ri më 13 Qershor.
Lideri demokrat Basha akuzoi kryeministrin Rama se sipas tij po bën diversione në procesin e zgjedhjeve të brendshme të PD-së  dhe se  ai nuk do që ai të  jetë në krye të betejës së demokratëve. “Kjo është një garë e brendshme, e cila zhvillohet në bazë të rregullave statutore të Partisë Demokratike dhe është një moment i mirëpritur, që bëjmë një diferencë të madhe me kundërshtarin tonë. Një moment që pavarësisht asaj që thonë kundërshtarët tonë, përsëri na diferencon me ta, janë partia e gojës së mbyllur ndërsa kjo është një parti e hapur, e debatit, e mendimit të lirë dhe padiskutim edhe e garës. Por, i vetmi mjet që Edi Rama ka për t’i shpëtuar të pashmangshmes që është përballja që po vjen jo vetëm thjesht me zemëratën e demokratëve, por me zemëratën e një populli të tërë që u është mohuar dhunshëm por përkohësisht ndryshimit, e vetmja gjë që ka në dorë është që të na përçaj. Le ta themi troç, drejtëpërdrejtë: nuk do Edi Rama që ne të vazhdojmë betejën bashkë dhe nuk do që unë të jem në krye të kësaj beteje.” tha lideri demokrat.
Zoti Basha shtoi se vetëm të bashkuar, Partia Demokratike mund të fitojë betejat.“Unë jam këtu për t’ju thënë që rrugë tjetër për Partinë Demokratike, rrugë tjetër për Shqipërinë nuk ka. Bashkë, gjithmonë e më të bashkuar, ta çojnë betejën deri në fund! Këtë betejë ne nuk e nisëm për veten tonë, këtë betejë ne nuk do ta vazhdojmë vetëm për veten tonë. Ne do ta vazhdojmë për të gjithë shqiptarët dhe siç i morëm shqiptarët në kutitë e votimit me 25 prill, ashtu do t’i marrim me vete në këtë betejë sepse fati i Shqipërisë, tashmë varet vetëm nga ne”, tha kreu i PD-së Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›