Basha: Retorika nacionaliste nga politikanët e rajonit, taktikë për të shmangur përgjegjësinë

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha ka kritikuar ashpër përdorimin e retorikës nacionaliste nga politikanët e rajonit, duke e cilësuar si një taktikë për të shmangur përgjegjësinë.
Basha mori pjesë në nënkomitetin për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që u mbajt në Beograd.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se konfliktet e ngrira po përdoren si një alibi për të shpëtuar nga llogaridhënia dhe sot Beogradi duhet të vërë para përgjegjësisë autorët e sulmit në Bajnskë, të cilët janë ende të lirë në Serbi.
“Nëse Kosova do të ishte anëtare e Këshillit të Europës, do të monitoronin edhe zbatimin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Pse nuk e do Beogradi zyrtar këtë? A i interesojnë vërtet serbët në Kosovë? Kosova është e pavarur! Ky është një realitet i pakthyeshëm. Pavarësia e saj është njohur nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së, dhe është konsideruar në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, deklaroi ai.
/r.e/