Basha: Rritja e çmimeve dhe taksat e larta kanë prekur sipërmarrësit dhe punonjësit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të shtunën ka zhvilluar disa takime në Tiranë, për të ndarë ditën me qytetarët dhe sipërmarrësit në Njësinë Administrative 6.
Basha u ndal në një fabrikë sfungjeri në zonën e ish-kombinatit të drurit, ku bisedoi me punonjësit dhe drejtuesit e kësaj sipërmarrjeje. Sipas, Bashës kriza që ka përfshirë biznesin e për pasojë edhe punëmarrësit vjen si pasojë e çmimeve dhe taksave të larta.
“Rritja e çmimeve dhe taksat e larta kanë prekur si sipërmarrësit ashtu edhe punonjësit. Me rrogat e tyre bëhet gjithnjë dhe më e vështirë për të përballuar nevojat e përditshme. Reduktimi i taksave, përmirësimi i klimës së biznesit, ulja e çmimit të energjisë dhe karburantit dhe marrja e masave për të mbrojtur eksportet nga kërcenimet siç ishte dhe zhvlerësimi fiktiv i Euros janë jetike për t’i krijuar frymëmarrje biznesit në përgjithësi, dhe atij fason në veçanti”, u shpreh Basha.
“Mbështetja për këto kompani, përmes uljes së taksave, që t’ju japë atyre mundësinë të rrisin pagat por edhe subvencionimi për punonjësit e rinj, është një kontribut për shtimin e të punësuarve dhe krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për shumë familje, që sot nuk plotësojnë as nevojat jetike”, shkruan Basha në rrjetet sociale.
/rtsh.al/