Basha: Shqipëria duhet dhe do të luajë një rol më proaktiv në rajon

TIRANË, 24 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë takimit me grupin e punës për programin dhe ekspertë të fushës, u ndal te procesi i integrimit të vendit, duke e cilësuar atë si prioritet.
“Integrimi europian dhe përballja me sfidat e sigurisë që përballet sot rajoni dhe Europa janë prioritete të programit qeverisës të PD”, u shpreh Basha.
Basha tha se PD ka një plan të qartë veprimi, koordinimi dhe bashkëpunimi për të përmbushur detyrimet që rrjedhin në rrugën drejt integrimit.
“Në këto kohë sfiduese për sigurinë, vendi ka nevojë për një strategji të qartë për mbrojtjen, modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe bashkërendim me partnerët tanë për arkitekturën tonë të sigurisë, e cila do t’i shërbejë edhe shqiptarëve e jo vetëm në rajon”, tha ai.
Sfidat e sigurisë në rajon, shtoi më tej, duhen adresuar me prioritet përballë kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga Serbia.
“Shfaqja e presidentit Vuçiç me simbolin famëkeq të tre gishtave, të përdorur nga ata që shkaktuan krime e gjenocid në Ballkan, është një sinjal i keq për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë. Projektet e botës serbe të artikuluara nga Vuçiç dhe Dodik synojnë ndarjen e Republika Srpska, destabilizimin e Malit të Zi dhe Kosovës, skenar i cili nisi, por dështoi, në veriun e Kosovës më 24 shtator 2023. Shqipëria duhet dhe do të luajë një rol më proaktiv në rajon dhe nuk do të ngurrojë në mbështetjen e saj ndaj Kosovës”, u shpreh Basha.
Basha tha se një financim vjetor në ndihma ushtarake, në vlerën e 50 milionë eurove do të jetë pjesë e programit.
“Duhet t’i japim fund traditës së mbështetjes folklorike për Kosovën. Por të bashkërendojmë axhendat dhe faktorët politikë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në Malin e Zi, për të garantuar paqen dhe stabilitetin e rajonit”, deklaroi Basha.
/r.e/