Tropoja çel sezonin turistik, Byberi: Promovojmë vlerat dhe traditat e kësaj zone

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Në Tropojë u çel sot sezoni turistik, për të mirëpritur turistët vendas dhe të huaj, të cilët vitet e fundit po preferojnë gjithnjë e më shumë turizmin malor.
Në këtë aktivitet morën pjesë, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, drejtuesi politik socialist i qarkut Pandeli Majko, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ish-ambasadorin i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe shumë personalitete e miq nga Kosova dhe Shqipëria.
Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi, tha se me hapjen e sezonit turistik promovojmë vlerat e jashtëzakonshme të kësaj zone me tradita dhe bukuri nga më të rrallat në Shqipëri.
“Nikaj-Merturi është jo vetëm një destinacion magjik për t’u vizituar, por gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për investime, që mbetet prioritet për pushtetin vendor dhe atë qendror”, thekso Byberi.
Gjatë aktivitetit Byberi nderoi me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës” ish-ambasadorin e Qemal Minxhozin në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të madh jo vetëm në politikë, por edhe si promovues i jashtëzakonshëm i zhvillimit të turizmit të Tropojës.
Grupet artistike me veshjet tradicionale sollën për të pranishmit një koncert me këngë dhe valle popullore të zonës.
Tropoja vitet e fundit po vizitohet nga mijëra turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit. Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë mbetet një prej destinacioneve më të preferuara nga turistët edhe të pasionuarit pas alpinizmit.
1 nga 13/r.e/