E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Të shengenizojmë rajonin

Ministri i Jashtëm shqiptar Lulzim Basha propozoi liberalizimin e vizave mes vendeve të rajonit. Deklarata e kryediplomatit shqiptar në ditën e dytë të punimeve të konferencës së ambasadorëve që po zhvillohet në Tiranë 

TIRANE-Shqipëria kërkon liberalizimin e vizave me shtetet e rajonit. Në ditën e dytë të konferencës së përbashkët të ambasadorëve, Ministri i Jashtëm Lulzim Basha i kërkon homologëve diplomatë të vendeve të rajonit të punojnë për liberalizimin e vizave mes këtyre vendeve. “Krijimi i një zone të lirë tregtare për Europën juglindore është tashmë një arritje konkrete e integrimit tonë rajonal. Por ky proces integrimi tregjesh nuk nuk është i plotë dhe nuk mund të jetë funksional pa sigurimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve në rajon”- tha shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha.

Ministri i Jashtëm e cilësoi paradoksale faktin që dialogu për liberalizimin e vizave me BE-në avancon ndërkohë që një veprim i tillë nuk është arritur ende mes vendeve të Europës Juglindore, (ambasadorët e të cilëve ishin pjesëmarrës në këtë aktivitet).

“Është paradoksale dhe e pashpjegueshme që ndërkohë që avancojmë me dialogun e liberalizimit të vizave me BE-në ne ende nuk e kemi arritur këtë mes nesh. Nga Tirana deri në kufirin slloven duhen kaluar 5 pika kufitare, 5 kontrolle, 5 ndalesa me orë të tëra të humbura, sidomos në sezonin turistik, ndërkohë që nuk ka asnjë të tillë nga sllovenia deri në pikën më të largët me Finlandën”

Heqja sa më parë e vizave dhe e kontrolleve kufitare të panevojshme- tha Basha çliron energjitë e sipërmarrjes, ul kostot për individët e ndërmarrjet, rrit kontaktet njerëzore, shton aktivitetet reciproke, i shërben mobilitetit turistik dhe favorizon njohjen me njëri tjetrin.

Kryediplomati shqiptar shprehu gadishmërinë e Shqipërisë për të hyrë në negociata me të gjitha vendet e rajonit dhe të përfundojë marrëveshjet e lëvizjes së lirë, sic u bë këtë vit me Maqedoninë duke shengenizuar sa më parë rajonin tonë.
Konferenca e ambasadorëve nisi punimet dje dhe do të zhvillohet deri më 31 tetor. Punimet e saj u përshëndetën dje nga ministri i Jashtëm italian Franco Frattini, i cili në takimet që zhvilloi dje me krerët më të lartë të vendit u shpreh se liberalizimi i vizave për shqiptarët mund të konkretizohet në qershor të 2009.
(BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›