Basha: Vajzat e Vllaznisë do na përfaqësojnë denjësisht në nisjen e rrugëtimit europian

TIRANË, 12 majATSH/- Vllaznia është shpallur zyrtarisht kampione e edicionit futbollistik 2023-2024 në kampionatin e futbollit të vajzave, që këtë sezon ishte i veçantë për shkak të aplikimit të formulës “Final Four”.
Në finalen e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” ndaj Apolonisë, Vllaznia fitoi me rezultatin e thellë 4-0 duke siguruar trofeun e 11-të radhazi të titullit kampion të Shqipërisë në futbollin e vajzave.
Ndeshja finale u zhvillua edhe me sistemin VAR, ndërsa takimi foli vetëm për Vllazninë që zhbllokoi rezultatin me Esmeralda Franjën në minutën e 21-të dhe më pas shkodranet realizuan edhe dy gola të tjerë me Berishën në minutën e 24-t dhe Ramadanin në të 27-tën.
Fitoren spektakolare të Vllaznisë e vendosi kapitenia Ezmiralda Franja në minutën e 51-të që shënoi golin e katërt të sfidës dhe të dytin personal.
Ky ishte edicioni i 11-të radhazi që vajzat kuqeblu fitojnë titullin kampion të Shqipërisë në futbollin e vajzave.
Vllaznia e vajzave do të përfaqësojë Shqipërinë në raundin para-eliminator në UEFA Champions League.
Në ceremoninë e zhvilluar në fund të sfidës finale, Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, i dorëzoi medaljet dhe trofeun ekipit të Vllaznisë.
Presidenti i FSHF, Armando Duka ka uruar Vllazninë për titullin kampion në Abissnet Superiore për vajza.
“Një titull i merituar, që shpresoj të shoqërohet me një paraqitje dinjitoze dhe kalime turesh në UEFA Women’s Champions League, sikurse dy sezone më parë. Ky sezon në futbollin e vajzave ka parë më shumë rivalitet, me Apoloninë, Partizanin dhe Tiranën që janë përpjekur të thyejnë dominimin e vajzave kuqeblu. Uroj që në vazhdim kampionati të jetë sa më konkurrues, pasi në këtë mënyrë do të shohim edhe një rritje të nivelit të garës dhe cilësisë në futbollin e vajzave, që ka dhe do të ketë gjithmonë fokusin e Federatës Shqiptare të Futbollit”, shprehet Duka në një postim në rrjetet sociale.Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, njëkohësisht Kryetare për Futbollin e femrave, Anila Basha uroi vajzat e ekipit të Vllaznisë për shpalljen si ekip Kampion për të 11-in vit radhazi.
“Kampionati këtë sezon kishte garë, gola, talente dhe ekipe që konkurruan denjësisht, duke përfshirë edhe Apoloninë, Partizanin e Tiranën që u përballën në “Final 4″. Kurora mbi kryet e Vllaznisë tregon se me punë, pasion, dedikim, përkushtim e stërvitje me disiplinë e të përditshme, rezultati pozitiv vjen. Unë besoj se vajzat e Vllaznisë do të na përfaqësojnë denjësisht në nisjen e rrugëtimit europian. Sot ështe dita e tyre e festës së madhe”, shprehet Basha.