Basha del me aleatët në krah pas rrjedhjes së votave: Jemi të unifikuar, mazhoranca të reflektojë për programin
Rrjedhja e votave gjatë votimit për kryetarin e ri të Kuvendit, Ilir Meta, ka shkaktuar jo pak trazim brenda opozitës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi aleatët e kësaj partie, që janë po ashtu të dyshuar se kanë dhënë votën pro- Metës.
Në fund të takimit me dyer të mbyllura, Basha doli në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se ata janë të unifikuar.
Në krah të tij gjatë konferencës për shtyp ishin kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe të tjerë.
Basha foli sërish për çështjen e programit të qeverisë së re.
Komunikimi konfliktual dhe refuzimi për transparencë është shenje e keqe dhe fillim jo i mbarë i mazhorancës. I japim mundësinë ta korrigjojë këtë gabim dhe i themi të tërhiqet nga ky akt që buron nga mungesa e seriozitet dhe përpjekja për të zhdukur transparencën. Nëse nuk reflektojnë, opozita do të mbajë qëndrimin e unifikuar dhe të prerë për këtë akt të papranueshëm. Përgjegjësia është e mazhorancës. Bëjmë thirrje të shmangin konfliktualitetin dhe provokimet dhe ti kthehen normalitetit duke i siguruar kohën e nevojshme me kohën që kjo opozitë i ka dhënë opozitës që tashmë është në mazhorancë me qëllim që të kemi debat transparent. Qëndrim i unifikuar do thotë se ne jemi gati të marrim çdo hap për të mbrojtur parimet e shenjta të transparencës dhe llogaridhënies si dhe kontrollit parlamentar.
Sjellja arrogante e përfaqësuesve të mazhorancës, refuzimi për të kryer detyrimin në raport me Kushtetutën dhe qytetarëve shqiptarë është një problem i çdo qytetari shqiptar, ne konstatojmë mungesë të theksuar serioziteti tek kryeministri i dekretuar i cili për më shumë se një muaj ka marrë kohë publike për të njoftuar lloj-lloj emërimesh të këshilltarëve, seminare dhe konferenca të kabinetit në pritje pa bërë transparencën e programit. Sot u përdor gjuha konfliktuale me opozitën, në një kohë që kërkuam kohën e nevojshme për tu njohur me programin dhe për të përgatitur pyetjet në raport me premtimet. Shpresojmë që kjo opozitë të mos shtyhet në vendimmarrje nga mungesa e tolerancës dhe fryma e konfliktualitetit, tha Basha./ep