TemA TV/ Meta përçan opozitën. Palokës i rrjedhin votat që në votimin e parë (VIDEO)
Votimi për kryeparlamentarin e ri, Ilir Meta, ka konfirmuar faktin se opozita e re nuk është e bashkuar.
8 prej deputetëve të saj kanë votuar pro, çka tregon se diversionet e bëra pas 23 qershorit për afrimin e një pjese të opozitës me mazhorancën e re, kanë qenë të vërteta.
Nuk dihet se kush ka votuar pro Metës, por mendohet se një gjë të tillë ta kenë bërë pikërisht aleatët e PD-së, duke filluar nga çamët, por edhe emra të tillë si Kastriot Islami apo Nard Ndoka, i cili ka deklaruar publikisht se do të votojë pro mazhorancës së re, me shpresën e bashkimit të të gjithë demokristianëve. Megjithatë, si Shpëtim Idrizi, ashtu edhe Ndoka, kanë mohuar të kenë votuar pro Metës.
Në një njoftim për mediat të PDIU thuhet se të gjithë deputetët e kësaj force politike kanë votuar kundër kryetarit të ri të Parlamentit, në përputhje me rreshtimin e saj politik.
Nëpërmjet këtij njoftimi, duam të bëjmë të ditur qëndrimin politik të shprehur me votë prej grupit parlamentar të PDIU-së në votimin e sotëm për kryetar parlamenti. PDIU është kundër kandidaturës së mazhorancës për kreun e legjislativit si votim dhe qëndrim politik, si pjesë e gjithë opozitës shqiptare. E bëjmë këtë sqarim për të konfirmuar qëndrimin tonë në lidhje me këtë çështje, thuhet në njoftimin e PDIU-së.
Edhe Partia Republikane përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, konfirmoi se deputetët e saj kanë votuar kundër kandidaturës së zotit Meta.
Partia Republikane është në opozitë dhe bashkë me aleaten e saj, Partinë Demokratike, do të bëjë të gjitha përpjekjet për të zhvilluar një opozitë të fuqishme në shërbim të interesave të vendit, si dhe do të bashkëpunojë në çdo moment me forcat e opozitare për të rikthyer të djathtën në pushtet, thuhet në njoftim.
Se kam idenë kush votoi pro nga opozita, është votë e fshehtë. Unë për vete kam votuar kundër zgjedhjes së zotit Meta, tha Ndoka.
Por, edhe kreu i komanduar i grupit të PD-së, Edi Paloka, mohoi që deputetët demokratë të kenë votuar pro Metës.
Kush e përcaktoi se janë deputetët tanë që kanë votuar pro Metës? Ju garantoj që nuk është kaq e rëndësishme sa mendoni ju. Opozita jonë do të jetë tjetër gjë, jo problem numrash. Numrat edhe sikur të ishit 8 apo 18 nuk ndryshojnë gjë. Ka qenë vendim i grupit për të votuar kundër. Ju prisni që unë të bëj hetuesin, nuhatësin? As nuk e dëgjova rezultatin, s’më interesonte. Tani po e marr vesh nga ju, deklaroi Paloka.
Lind pyetja se kush ka votuar pro Metës, kur të gjithë nga opozita e mohojnë këtë gjë?