E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha dhe rivendosja e paqes në Tiranë

18-05-2011 / Nga Ermal Kozici

Thirrjet për gjak dhe destabilizim  në Tiranë nga ana e Edi Ramës dhe Erion Braçes nuk duhet të surprizojnë askënd. Thirrje të ngjashme nga e majta janë dëgjuar me bollëk gjatë kohëve të fundit. Ato në fund të fundit janë kambana që na kujtojnë filozofinë e dhunës dhe hakmarrjes së verbër të segmenteve të errëta që mbështesin tashmë kreun socialist. Kërcënimet për destabilitet të vendit janë të përsëritura që nga greva e urisë së Ramës, 21 janari e deri më sot. Radikalizimi i opozitës nga Rama ka të bëjë me trashëgiminë e forcës politike që Rama drejton me nepotizëm të theksuar. Demokratët, komisionerët dhe numëruesit nuk duhet të ndikohen nga gjithë klima e egër dhe antiqytetare që po mbjell Rama në çdo hap këtë javë të fundit. As thirrjet e ndërkombëtarëve dhe ato të ambasadorëve dhe as vizita e diplomatëve të lartë europianë, madje as mesazhi që Barroso do të japë para Parlamentit shqiptar ditën e premte nuk do zmbrapsin kreun e PS të vazhdojë ëndrrën e tij të çmendur për pushtet. Por shoqëria jonë nuk impresionohet, mazhoranca e votës popullore ka folur dhe demokratët e aleatët e tyre dominojnë bindshëm këtë vend, përfshirë edhe Tiranën. Ndaj thirrjet ogurzeza të Ramës nuk na trembin, ato na bëjnë më të vendosur e të vetëdijshëm që t’i përvishemi punës për rindërtimin e Tiranës. Për rindërtimin e atyre lagjeve të periferive por edhe qendrore të Tiranës që janë më keq se Kandahari që Rama e ka qejf ta përmende vend e pa vend fushave të Kasharit. Kandaharin dhe katandisjen e Tirans e kemi çdo ditë ne qytetarët e saj para syve që kur zgjohemi dhe deri kur flemë. Është koha që të lemë Ramën në marrëzinë e tij dhe Kryebashkiaku Basha së bashku me njerëzit e rinj dhe të ndershëm që do të qeverisin Tiranën të fillojë rimëkëmbjen e Kryeqytetit. Hap pas hapi dhe ngadalë duhen marrë masat administrative e të tjera që të mund ta ribëjmë Tiranën metropol ku ia vlen të jetosh. Nëse Rama është njeriu anarkist që kërkon dhunë, kaos, për t’u shërbyer falangave kriminale që mbysin sot Tiranën dhe jetën e saj ekonomike dhe shoqërore, modeli Basha garanton sundimin e rregullit dhe ligjit duke rivënë në funksionim mekanizmin bashkiak e duke rindërtuar nga themelet vizionin për instrumentet që kontrollojnë territorin e bashkisë së Tiranës. E ndërsa Rama përpiqet që mes kundërshtive polarizimit, vështirësive dhe mbjelljes së frikës të shantazhojë qytetin, demokratët dhe aleatët e tyre kanë një mision krejt tjetër, atë të rindërtimit të imazhit dhe brendësisë së një Kryeqyteti.
Mafia e Edi Ramës në Tiranë duhet të ndjejë darën e pamëshirshme të vullnetit të shumicës për të dëbuar nga qyteti ynë të gjitha fenomenet që na bëjnë të pasigurtë, të gjitha fenomenet që na mbajnë larg nga shëtitjet e lira nëpër parqe orëve të vona e që nuk lejojnë fëmijët tanë të luajnë e të zhvillohen të sigurtë nëpër Tiranë. Edi Rama po shuhet dhe dita e nesërme do na tregojë me saktësi shtrirjen dhe përhapjen e ligësisë së tij ndaj ne qytetarëve. Lulzim Basha nuk merr vetëm çelësat e rindërtimit fizik të qytetit tonë, por edhe ato të ribërjes shpirtërore të jetës në Kryeqytet, ringjalljen e Tiranës që ka katandisur një fantazmë e rrënuar shpirtërore, ashtu si jeta boshe dhe fillikate e Edi Ramës. Lulzim Basha ka shansin e madh historik të rindërtimit të paqes shoqërore mes të gjitha shtresave në Tiranë, që fatkeqësisht kërcënohet vazhdueshëm nga një I marrë që ka marrë peng qetësinë tonë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›