Basha dhuron pako për klasat e reja
Fillimi i vitit të ri shkollor
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka zgjedhur një mënyrë të veçantë, për t`u uruar nisjen e vitit të ri shkollor, nxënësve që për herë të parë ulen në bankat e shkollës. Rreth 5300 fëmijë të klasave të para kanë gjetur në bankat e tyre një dhuratë simbolike, me mjetet mësimore nga Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, të shoqëruara me një kartolinë urimi. Zoti Basha ishte sot në shkollën “Jeronim De Rada”, nga ku u ka uruar suksese, të gjithë nxënësve të kryeqytetit që nisën sot vitin e ri shkollor.
“Është një vit i veçantë, viti i Pavarësisë dhe krahas programit mësimor, këto institucione të qytetit tonë, shkollat 9-vjeçare, shkollat e mesme janë edhe parneret e Bashkisë, në realizimin e një sërë aktivitetesh, siç janë konkurset, olimpiadat, kampionatet sportive që do të jenë jo vetëm risia e këtij viti por pjesë e pandarë e përkushtimit të Bashkisë së Tiranës, për të mbushur në mënyrë sa më domethënëse dhe kuptimplotë kohën e lirë të fëmijëve të kryeqytetit, të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme”- theksoi Basha.
Ai ka shtuar se kujdesi për fëmijët do të vazhdojë, jo vetëm duke përmbushur detyrat që Bashkia ka sa i përket mirëmbajtjes dhe investimeve në institucionet shkollore por edhe në ambientet që frekuentohen nga rinia e qytetit, në veçanti nga rinia e shkollave të mesme dhe fëmijët e shkollave 9-vjeçare gjatë kohës së tyre të lirë, investime të cilat do të shtrihen në gjithë qytetin, në të gjithë minibashkitë dhe lagjet e qytetit dhe sigurisht ato hapësira publike, ku mundësitë ekzistojnë për investime të mëdha. “Ju premtoj se Bashkia e Tiranës do të investojë fort në krijimin e ambienteve të reja sportive, ambiente të reja lojërash dhe një park surprizë për të gjithë fëmijët e kryeqytetit, i cili do të hapet para marsit të vitit të ardhshëm, në kodrat e Liqenit” - u shpreh Kryebashkiaku Basha.