E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha do marrë dhe detyrën me procedurë

Mënyra tradicionale e marrjes së një mandati si kryetar i një bashkie është ajo që njohin të gjithë në botën e qytetëruar, shpalles fitues me shumicë votash, këshilli bashkiak konstituohet dhe miraton mandatin e kryebashkiakut të ri. Por për Lulzim Bashën asnjë nga këto hapa tradicionalë dhe ligjore nuk do të jetë e mundur të ndiqet. Edhe pse nuk u shpall fitues ditën që mbaroi numërimi i votave, por vetëm dy muaj më pas duke ndjekur procedura ligjore nga KQZ-ja në Kolegj, edhe mandatin e kryebashkiakut do ta marrë jo në rrugën ligjore të përdorur në këto raste, por me anë të një procedure tjetër. Konstituimi i Këshillit Bashkiak do të jetë gati i pamundur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak të ndarjes së anëtaërëve të tij 4 me 3, ndërsa për këtë gjë kërkohet një shumicë prej 5 votash. Tre përfaqësuesit e opozitës në KQZ kanë shprehur rezerva për mënyrën se si do të konstituohet ky këshill dhe për rezultatin e votave pasi u përdoren dy standarde të ndryshme në numërim. Votat e hedhura gabim nuk janë njohur në rastin e Këshillit ashtu siç ndodhi në rastin e kryetarit të bashkisë, procedurë që nxori Bashën fitues.  Duke mos marrë dot një vendim për konstituimin e këshillit, që sipas rezultateve paraprake është fituar me një anëtar më shumë nga aleanca qeverisëse, çështja kalon në Kolegj duke zvarritur në kohë konstituimin. Konkretisht kjo aleancë ka 28 këshilltarë, ndërsa opozita ka 27 këshilltarë.  Por demokratët e kanë menduar një procedurë më të shpejtë me anë të së cilës do të kurorëzojnë kryebashkiakun e tyre pas 10 vitesh që këtë bashki e kishte në drejtim kryesocialisti Edi Rama. Do të jetë prefekti Keltis Kruja që do ti japë formalisht mandatin Bashës në një ceremoni të përgatitur për këtë rast. Një nga deputetët e PD-së, që ka qenë dhe në ekipin e juristëve që ndoqi çështjen në Kolegjin Zgjedhor, Dashnor Sula, shprehet se  është KQZ i cili lëshon çertifikatën e fituesit dhe kjo çertifikatë dhe material të tjera të cilat çon KQZ paraqiten në gjykatën e shkallës së parë. Bëhet një kërkesë në gjykatën e shkallës së parë nga ana e kryetarit të ri të bashkisë dhe është gjykata e shkallës së parë e cila hedh shortin dhe pastaj kemi një gjyq nga ku merret vendimi gjyqësor i cili i vihet në dispozicion prefekturës së Tiranës dhe më pas fillon ceremonia për kryetarin e bashkisë së Tiranës në ditën që cakton prefektura- tha Sula.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›