E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha hap ujin tek lulishtja ku protestojnë romët për ti zbuar

romet(E PERDITESUAR)- Ndërmarrja e Gjelbërimit pranë Bashkisë së Tiranës, duke mos respektuar as të moshuarit dhe fëmijët që ndodhen në atë vend, ka hapur ujin për të ujitur barin tek sheshi qendror, ku janë ngujuar romët, që po protestojnë për largimin nga banesat e tyre!!!

Kjo është një formë për ti larguar romët.

Në vendngjarje ndodhen vetëm përfaqësues të Federatës Shqiptare të Romëve dhe aktivistë të organizatës suedeze Civil Rights Defenders.

Vasilika Laçi, drejtore programi e Civil Rights Defenders thotë se gjatë tre- katër orëve të pasdites, kur në vendngjarje nuk kishte asnjë aktivist të shoqërisë civile, policia i ka fyer romët dhe me metoda të ndryshme presioni ka dashur ti largojë që atje.

Deri tani nuk ka asnjë reagim të Bashkisë, ndërkohë që nesër është njoftuar një tryezë pune e Avokatit të Popullit me të gjitha institucionet dhe me përfaqësues të ndërkombëtarëve.

Ngujimi

Nëna rome me fëmijët e tyre për dore protestuan para bashkisë për të kërkuar të drejtat e tyre pas dëbimit nga trualli i ish ndërmarrjes artistike,

Duam të drejtat tona jemi shqiptarë. Mbani premtimet, ishin thirrjet e nënave dhe fëmijëve romë protestues, ndërsa mbanin në dorë pankarta të cilat kishin këtë mbishkrim.

Xheladin Taço, kreu i federatës së romëve tha se ajo çka kërkojnë është vetëm të dëgjohen nga kryetari i bashkisë dhe institucionet shtetërore dhe të mbajnë premtimet.

Ka dy javë që familjet tek ish ndërmarrja artistike i kanë nxjerrë jashtë. Kemi depozituar kërkesë pranë bashkisë për takim dhe nuk kemi marrë. Qeveria, ministria e bashkia nuk po reagojnë. Po protestojmë për të reaguar dhe të na dëgjojë zërin. Në emër të Federatës rome i bëj thirrje të gjithë institucioneve për të na dëgjuar. Kemi dhënë dhe ne kontributin tonë. Jemi të përqendruar në Shqipëri prej 600 vitesh dhe jemi të barabartë, shteti të na dëgjojë. Na vjen keq që ndërkombëtarët reagojnë por jo shteti shqiptar, tha Xheladin Taço për A1Report.

Reagon qeveria

Ministria e Punës ka reaguar për herë të parë lidhur me dëbimin e familjeve rome nga zona ku ata kishin vendosur prej vitesh barakat e tyre në rrugën e Kavajës, në kryeqytet. Lidhur me këtë çështje ka reaguar Avokati i Popullit, Amnisty International, dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Pas dëbimit të këtyre familjeve të komunitetit rom nga prona ku po ndëtohet një pallat, ka ardhur edhe reagimi i parë i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Sipas këtij dikasteri, është bërë e mundur zgjidhja e problemit dhe strehimi i familjeve rome në godinat e Sharrës, të cilat po rikonstruktohen nga Shërbimi Social Shtetëror.

Ministria e Punës është treguar e gatshme për zgjidhjen e problemit dhe për rehabilitimin në zonën e Sharrës. Kujdesi për këtë sipërfaqe është transferuar tek Shërbimi Social Shtetëror, dhe po punohet për rikonstruksionin e 7 godinave që ndodhen në këtë qendër. Po punojmë për të zgjidhur këtë problem kompleks. Ministria e Punës ka zgjidhur situata të tilla të ngjashme. Kujtojmë vitin 2010 ku u pa e nevojshme strehimi i familjeve të larguara nga stacioni i trenit. U bëjmë thirrje disa institucioneve të mos bëhen pjesë e ndërlikimit të situatës dhe shfrytëzimit politikisht të saj, u tha në reagimin e Ministrisë së Punës.

Sipas Ministrisë së Punës, kjo çështje është ndjekur me përparësi, në mënyrë që 37 familjeve rome tu mundësohet strehimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›