E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha me studentet e ekonomikut Si do te krijoj vende pune ne Tirane

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Lulzim Basha ka marrë përsipër zgjidhjen e një prej problemeve kryesore të banorëve të Tiranës, siç është punësimi. Basha nuk do të heqë përgjegjësitë nga vetja, por ka një projekt konkret për punësimin, të cilin e shpalosi sërish sot në një takim me studentë të fakultetit ekonomik. Basha tha se nën drejtimin e tij, bashkia do të kthehet në një urë lidhëse mes studentëve dhe biznesit, si për praktikat, ashtu edhe për punësimin e tyre.

“Bashkia do të ketë një rrjet informacioni online, që do të ndërlidhë kërkesën në tregun e punës të azhurnuar në mënyrën më të plotë të mundshme, jo më vonë se fundi i këtij viti. Një i punësuar, 10 të punësuar, 100 të punësuar në Tiranë, janë objektivat e përditshme, përnatshme, përmuajshme të kryetarit të bashkisë. Unë kam një plan konkret për t’u marrë me këtë çështje, duke i hequr pengesat aktuale fiskale, administrative dhe infrastrukturore. Me një përllogaritje minimale modeste, ne do të çlirojmë biznesin e vogël dhe biznesin në tërësi në Tiranë, për të hapur minimalisht 4 mijë vende të reja pune. Do të vazhdojmë me një fond special garancisë, duke ndjekur një përvojë të suksesshme të USAID-it dhe një pakt në tregun e punës, për hapjen e 6 mijë vendeve të reja të punës. Infrastruktura do të jetë risia tjetër në zhvillimin ekonomik dhe në tregun e punës. Mbi 5 800 vende pune do të hapen vetëm nga punimet e Unazës së Madhe. Arsimi profesional dhe turizmi janë dy shtylla të tjera, në të cilat ne duhet të ecim fuqishëm, për të gjeneruar punësim dhe mirëqenie në qytetin tonë”, u shpreh Lulzim Basha para studentëve të ekonomikut.

Po kështu, Basha ka sqaruar edhe projektet për kartën studentore që do të vihet në dispozicion ne muajin shtator të këtij viti, ndërtimin e kampuseve universitare dhe bibliotekës, e deri tek bursat për studentët e shkëlqyer apo ata me pamundësi ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›