E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha ne Opinion Nje bulevard i ri per Tiranen

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, deklaroi ne emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, se është gati projekti për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës nga stacioni trenit drejt bregut të lumit me skaj fundor në Paskuqan, ku do të ngrihet gjithashtu një park tjetër për Tiranën.

Basha tha se është gati projekti dhe në një konkurs ndërkombëtar ku do marrin pjesë firmat më të mëdha të arkitekturës botërore, do të vendoset projekti fitues. Basha ftoi gjithashtu dhe qytetarët që të japin mendimin e tyre për projektin. Sipas këtij plani, parashikohet zhvendosja e stacionit të trenit në një zonë tjetër, ku do të ndërtohet gjithashtu edhe njëra nga linjat e Tramit në Tiranë si dhe një stacion i madh autobusësh urbane dhe interurbanë për gjithë zonat e vendit.

Basha tha se bashkia është në tratativa me institucionet financiare prestigjioze botërore, por tha se për këtë projekt dhe të tjera te Bashkisë, nuk do të mungojë as mbështetja e qeverisë qendrore. Sa i takon premtimit të fushatës për taksat, ai tha se me 12 tetor do t’i paraqesë Këshillit Bashkiak programin për heqjen apo uljen e 60 taksave bashkiake, një veprim që i jep frymëmarrje biznesit dhe krijon hapësirë për punësim. Kryetari i Bashkisë, Basha tha se deri në miratimin e planit të ri urbanistik të qytetit, nuk do të ketë asnjë ndërtim të ri privat, ndërkohë që bashkia do të shtojë hapësirat e gjelbra në kryeqytet.

Një nga çështjet me problematike të Tiranes, është trafiku, çështje për të cilën Basha tha se po merren masa për evitimin e tij. Sipas Bashës, për këtë qëllim do t’i hapet rruga investime të tilla të mëdha si unaza e Tiranës; do të rikonceptohet transporti publik duke vendosur linjën e Tramit; do ndërtohen vendparkime mbi dhe nëntokësore, etj.

Zona me problematike sa i takon trafikut, qe është aktualisht sheshi Skëndërbej, sipas Bashës, brenda dy javëve të nëntorit do të hapet për qarkullimin e automjeteve në një pjesë të tij deri në rikonceptimin e këtij sheshi. Basha tha se asnjë punim nëntokësor deri tani nuk do të shkojë dëm, ndërkohë pjesët e tjera të sheshit do të rehabilitohen.
Basha tha se nuk ka ndërmend të kandidoj për poste në parti dhe siguroi qytetarët se nuk do t’i braktisë angazhimet që ka marrë përsipër para tyre përgjatë fushatës së 8 majit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›