E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli Kauza e jetes eshte kauza me e shenjte

Qindra gra dhe vajza iu përgjigjën ftesës së Kryetares së Kuvendit për ecjen ndërgjegjësuese "Bëj kontrollin, shpëto jetën dhe familjen", kushtuar parandalimit të kancerit të gjirit.

Ecja nisi nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe vijoi përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" për t’u ndalur përpara ndërtesës së Kryesisë së Kuvendit.

Ftesës së zonjës Topalli iu përgjigjën edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, gra deputete, si dhe dhjetëra gra të shquara nga fusha të ndryshme shoqërore.

Të pranishëm në aktivitetin e organizuar nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, ishin edhe mjekë të njohur në fushën e onkologjisë.

Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit përsëriti apelin drejtuar të gjitha grave për të kryer ekzaminimet dhe për të diagnostikuar në kohë kancerin e gjirit, si një mundësi shumë e mirë për të fituar betejën me këtë sëmundje të rëndë.

“Sot, të gjitha bashkë jemi këtu me krenari, për të gjitha ato gra që kanë fituar betejën kundër kancerit dhe janë sot këtu të pranishme dhe do të kërkoja një duartrokitje për secilën prej tyre, për besimin, kurajon, kauzën e jetës.

Jeta është gjëja më e rëndësishme dhe kauza e jetës është kauza më e shenjtë,” tha Jozefina Topalli.

Doktor Shahin Kadare, pasi bërë një shpjegim të shkurtër profesional të rëndësisë së diagnostikimit të hershëm të sëmundjes, nënvizoi se në shumë raste gratë kanë mundur të fitojnë betejën ndaj kancerit të gjirit.

“Ekzaminimet e rregullta periodike të gjirit, nëpërmjet mamografisë, ekzaminimet klinike te mjeku senolog dhe ekzaminimet që mund të bëjë vetë gruaja janë shumë të rëndësishme, sepse bëjnë të mundur që një numër i madh rastesh të kancerit të gjirit të mjekohen me sukses të plotë,” tha zoti Kadare.

Adelina Mazreku, një tjetër emër i njohur i onkologjisë shqiptare gjithashtu vuri theksin në rëndësinë që diagnostikimi i hershëm ka në këtë betejë të vështirë.

“Dëshiroj të bëj një apel: le të bashkërendojmë aftësitë profesionale të mjekëve dhe specialistëve të kësaj fushe, kurajon tuaj për t’u përballur me sëmundjen, besimin se kjo betejë mund të fitohet me mbështetjen e shtetit, i cili fatmirësisht është i ndërgjegjësuar për rëndësinë e mbrojtjes kundër kancerit. Le të besojmë se është një betejë që mund të fitohet!” tha zonja Mazreku.

Nga ana e tij, drejtori i Spitalit Onkologjik, Agim Sallaku tha se është tepër e rëndësishme që vetë gratë të jenë pjesë e programeve dhe iniciativave kundër kancerit për të shpëtuar jetën e tyre.

“Shumë vite më parë u morën mjaft iniciativa në këtë fusha. Por, sinqerisht ju them se unë e quaj të jashtëzakonshëm këtë grumbullim madhështor sot, sepse ishte e paimagjinueshme disa kohë më parë që pjesëmarrja, ndjeshmëria e grave, e njerëzve për të luftuar këtë sëmundje kaq të rëndë të rritej me shpejtësi të jashtëzakonshme në këto 2-3 vitet e fundit.”

Si doktoreshë dhe grua, zonja Liri Berisha nënvizoi se ndërgjegjësimi dhe kultura shëndetësore janë dy armë të rëndësishme në luftën kundër kancerit të gjirit.

“Është shumë më e lehtë dhe më pa dhimbje të parandalosh sesa të kurosh. Ndoshta ka ardhur koha që kontrolli i kancerit të gjirit të futet në depistimet e detyrueshme, sepse mendoj se gra të shëndetshme do të sjellin breza të shëndetshëm,” tha zonja Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›