Basha në Vorë, flet për rindërtimin “Do të përshpejtojmë procesin. Shpërblim financiar për të dëmtuarit në zonat rurale”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot në Vorë, ku u takua me banorë të dëmtuar nga tërmeti. Basha u njoh me shqetësimet e banorëve sa i përket procesit të rindëritmit, ndërsa tha se ai do të jetë prioritet i qeverisë së tij, nëse fiton zgjedhjet e 25 prilit.
Sipas kreut të PD-së aktualisht procesi i rindërtimit po bëhet duke u bazuar në interesa personale, pasi sic tha ai banorët e Vorës po përballen me grabitjen e pronave private nga eksponent të qeverisë. “I gjithë rindërtimi është dështim sepse po të kishin dashur të ju ndihmonin njerëzit. Gjëja e parë që do kishin bërë, do kishin para për ata që t’i ndërtonin shtëpitë vetë. Nuk e bënë këtë sepse donin të bënin tendera që të vidhnin, tendera që ja kanë dhënë shokëve, miqve, vëllezërve të deputetëve. Edhe këtu në Vorë është e njëjta skemë, është e njëjta skemë si kudo në Shqipëri, gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë, njerëzit janë akoma në çadra” tha zoti Basha.
Basha i bëri thirrje qytetarëve që më 25 prill të votojnë alternativën e opozitës, duke premtuar se do të cojë përpara edhe procesin e rindërtimit. Ndaj, në 25 prill, pasi të kemi larguar edhe këta mafiozë, do t’u kthehen pronat e shqiptarëve, nga Vora në Durrës dhe kudo dhe ne do ta përshpejtojmë procesin e rindërtimit. Do ta përshpejtojmë duke ju dhënë drejt për drejt shpërblimin financiar sipas dëmit e jo sipas ndarjes në të nënës dhe të njerkës dhe do ta përshpejtojmë duke ndërtuar pronat e qytetarëve aty ku i kanë patur, ne Kombinat në Vorë e kudo tjetër. Të bëhemi të gjithë bashkë dhe mos lëmë asnjë jashtë bashkimit të shqiptarëve kundër të keqes. Bashkë do ta sjellim ndryshimin, Vora fiton, Shqipëria fiton”, premtoi lideri demokrat.
Kryetari i PD-së tha se rastet e abuzimit me procesin e rindëritmit do të shkojnë para drejtësisë. “Ndërsa ndërtimi i shtëpive apo i apartamenteve në zonat urbane do të bëhet me transparencë absolute, duke respektuar pronat e qytetarëve. Gjithçka tjetër që është bërë deri tani do të shkojë para drejtësisë.” tha ai.