E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në njësinë nr. 5: Plani Urbanistik për sot dhe brezat e ardhshëm

Njësia Bashkiake nr. 5 ka qenë ndalesa e rradhës e konsultimeve me qytetarët, për Planin Urbanistik të Tiranës. Kryebashkiaku, Lulzim Basha, ka theksuar se Plani i ri Urbanistik do të miratohet, vetëm pasi të jetë marrë në konsideratë mendimi i qytetarëve. Gjithashtu Basha theksoi se një nga pikat kryesore të Planit të ri Urbanistik është balancimi i kriterit të ndërtimeve.
 

”Sot vijmë me parimet bazë, parime të cilat duhet dhe do të kenë miratimin përfundimtar vetëm pasi të kenë kaluar sitën e mendimit qytetar dhe vetëm pasi zëri I çdokujt jo vetëm në këtë sallë por edhe jashtë kësaj salle të dëgjohet për çështje që kanë të bëjnë me shtëpinë e tij, apartamentin, bllokun e banimit, kompleksin, lagjen apo të gjithë njësinë bashkiake. Plani do të reflektojë vlerat më të mira jo sot, por edhe pas 5, 10, 20 vitesh dhe ky është kriteri I vetëm me të cilin ne mund të themi pas 20 apo 30 vitesh, që ndërmarrja jonë e vitit 2012 ishte një ndërmarrje e suksesshme. Do të jetë një plan afatgjatë dhe që reflekton plotësisht nevojat e qytetarëve të Tiranës për sot dhe për brezat e ardhshëm” – u shpreh Kryetari i Bashkisë.
 

Basha gjithashtu ka theksuar se kompleksi Dinamo, zona e pishinave, kopshti Botanik dhe kopshti Zoologjik do të mbeten zona në shërbim të komunitetit.
 

“Unë besoj se komunitetit të kësaj zone të Tiranës, qytetarëve të Tiranës u vlen mbajtja e kompleksit Dinamo, në parametrat që ndodhet dhe rinovimi i infrastrukturës sportive aty. Ju e dini se unë jam angazhuar publikisht për këtë, jo vetëm për kompleksin Dinamo por edhe zonën e pishinave. Kjo do të thotë se si kompleksi “Dinamo”, si zona e pishinave do të ruhen e rigjenerohen sipas formulës së zonave rekreative, për t`i shërbyer kësaj njësie bashkiake e gjithë Tiranës. Projekti i famshëm që shikonte poshtë digës një numër shumë të madh banesash, siç e kam thënë nuk mund dhe nuk do të ekzekutohet . Sigurisht e njëjta gjë vlen edhe për kopshtin botanik dhe zoologjik” - tha z. Basha.
 

Ekspertet perkates kane dhene detajet e Planit Urbanistik për këtë njësi, ku në themel do të jetë rikthimi I cilësisë së jetesës së qytetarëve, menaxhimi i hapësirave publike dhe private me synimin e krijimit të sa më shumë hapësirave publike për qytetarët si edhe formula e menaxhimit të pronës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›