Basha nga Elbasani: PD duhet të ishte pastruar nga të korruptuarit që në 2013

Ish kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar takimet e tij me të rinjtë, ku sot (7 qershor) ka qenë në qytetin e Elbasanit.
Basha tha se demokratët duhet të ishin ndarë nga individët e korruptuar që në 2013 kur dolën në opozitë, pasi kjo solli uljen e imazhit të partisë dhe më pas humbjen elektorale.
Duke iu referuar Sali Berishës, Basha tha se në zgjedhjet e 14 majit, demokratët u ndanë nga “flamuri i rremë” i interesave personale dhe aleancës së keqe.
“Pas daljes në opozitë të PD në 2013 për të qëndruar e për tu rikthyer ishte të ruanim me çdo kusht kompaktësinë e numrave. Kjo në mënyrë thuajse automatike na u kthye në një sëmundje mua dhe bashkëpunëtorëve të mi që për hir të vlerës reale apo të perceptuar, elektorale të një individi të mbyllnim sytë para korrupsionit të atij individi. Kjo do të thotë që në vend që të pastroheshim nga njerëzit që me korrupsionin na shkaktuan kosto imazhi dhe më pas elektorale i mbajtëm aty dhe madje vazhduam t’i kishim dhe në pozita drejtuese nisur nga kalkulime elektorale.
Sot dëgjoni nga mëngjesi në darkë thirrje për bashkim. E para e punës demokratët nuk u ndanë se donin, u ndanë në një flamur të rremë për interesa personale dhe ndarja nuk është parimore në kuptimin që nuk u larguan për parimin. Ne qëndruam për parimin. Tani ata që e ngritën këtë luftë të rreme, e korrën rezultatin e kësaj lufte të rreme. Tani që u kuptua që aleanca me të keqen për hir të numrave nuk pjell asnjëherë diçka të mirë, tani është momenti të kuptojmë që bashkimi nuk mund të vijë si diçka mekanike por rreth vlerave. Besoj se PD është shpresa e vetme për ndryshim në këtë vend. Ne duhet të kemi aleancë kundër korrupsionit”, tha Basha.
Basha foli edhe për arrestimin e ish kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, ku tha se të mos përsëritet rasti i Saimir Tahirit që doli nga qelia pasi ishte akuzuar vetëm për “shpërdorim detyre”. Basha tha se shpreson që drejtësia të shkojë deri në fund, duke e cilësuar Dakon si një person të lidhur me korrupsionin dhe krimin.
“Në fakt është arrestuar me urdhër të SPAK-ut, për një pallat. Por shpresoj të mos jetë vetëm kaq, të mos jetë njësoj si me Saimir Tahirin që doli nga burgu sepse ishte dënuar vetëm për “Shpërdorim detyre”, ndërkohë që SPAK-u vazhdon proceset juridike, në Gjykatën e Lartë, anëtarësinë në një organizate kriminale. Të gjithë e dini e mbani mend, e mbushi Shqipërinë më drogë.
Por edhe rasti i Vangjush Dakos nuk është i panjohur, për personin që ka përvojën më të vogël politike për shkak të moshës, është njeriu që u bë i famshëm për përgjimet e “339”-ës sesi shiteshin dhe bliheshin vota në bashkëpunim me krimin e organizuar apo afera të tjera.
Shpresoj shumë që të jetë fillimi i një hetimi të një personazhi famëkeq, i korrupsionit dhe lidhjet me krimin. Të një simboli të blerjes së votës, si e keqja më e madhe që ka shkatërruar besimin e qytetarëve tek vota dhe në veçanti të rinisë tek demokracia, tek zgjedhjet. A do të jetë apo jo? Kjo mbetet për tu parë”, tha Basha.
/rtsh.al/