Basha për Bulevardin: Në nëntor përfundon projekti teknik
Kreu i bashkisë premton edhe nisjen e projektit për Pallatin e Drejtësisë
Brenda nëntorit të këtij viti, do të përfundoj projekti teknik i zgjatimit të bulevardit të Tiranës, i cili do të vazhdoj nga stacioni i trenit në drejtim të Paskuqanit. Premtimi vjen nga kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ka marrë pjesë në ekspozitën e hapur nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Universiteti Politeknik i Barit, Arkitektura moderne italiane në Tiranë, vazhdimësia e një ideje. Sipas Bashës, do të nisë zbatimi i projektit për Pallatin e Drejtësisë tek stacioni i trenit, si dhe rehabilitimin në hapësirat përreth.
Qeveria italiane po jep ndihmesën e saj, edhe në kuadër të BE, për financimin e dhomës së parë të bulevardit, nëpërmjet ndërtimit, siç kemi këtu në sheshin Skënderbej, të sheshit të ministrive, një sheshi ikonik për Ballkanin (ndoshta edhe për Europën, do të thosha), të një sheshi drejtësie ku do të vendosen komponentët kryesorë të atij që quhet Pallati i Drejtësisë, por që me gjasa do të jetë një komponent i shtrirë horizontalisht, në të dy anët e një sheshi të madh e të gjelbëruar në fillim të bulevardit të ri,-ka deklaruar kryebashkiaku Basha.
Më pas, puna do të vazhdojë me objekte të tjera të rëndësishme si Holli i Koncerteve, Galeria e Artit Bashkëkohor, një bibliotekë e madhe universitare-bashkiake, si dhe disa investime private të fuqishme. Arkitektët italian kanë hapur një ekspozitë në muzeun historik kombëtare ku janë paraqitur një sërë skicash se si është parë Tiranë nga të huajt. Arkitektët kanë marrë në studim godinën e kryeministrisë, të Teatrit Kombëtar dhe objektin e ish hotel-Dajtit për të parë si mund të futen edhe elementë të rinj të arkitekturës italiane.
15 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Basha për Bulevardin: Në nëntor përfundon projekti teknik burimi: Gazeta Shqip