Shqipëri-Kosovë çdo vit rreth 570 fëmijë me vrimë në zemër
Të porsalindurit
Nënshkruhet me Italinë marrëveshja për trajtimin e rasteve të rënda
Lorina Mixha
Çdo vit në vendin tonë operohen rreth 570 foshnja, të cilat lindin me vrimë në zemër. Ndërhyrjet më të shpeshta kryhen në javën e parë pas lindjes, por ka edhe raste kur pacientët e vegjël diagnostikohen me vonesë dhe operohen më vonë.
Nga këta fëmijë, 320 janë të porsalindur shqiptarë dhe 250 vijnë nga Kosova. Deri tani pacientët e vegjël nuk kanë pasur një repart special, por po shihen mundësitë e ngritjes së një qendre të hemodinamikës për trajtimin e vogëlushëve me probleme në zemër. Qendra e hemodinamikës është sektori ku realizohen korrigjimet e defekteve kardiake, pa operacion.
Ngritja e kësaj qendre në Tiranë, do të zgjidhte shumë probleme kardiake në moshat e vogla, në ato raste kur është e mundur, pa qenë nevoja e aplikimit të kirurgjisë tradicionale, që do të thotë më pak traumë postoperatore për të vegjlit, ulje të risqeve që bart një ndërhyrje kirurgjikale dhe më pak kosto ekonomike në buxhetet spitalore. Futja e hemodinamikës pediatrike cilësohet një hap pozitiv shumë i domosdoshëm me efekte të mëdha pozitive mjekësore në radhë të parë, sociale sa u takon familjarëve dhe ekonomike sa i takon buxhetit të spitaleve, pasi është një nga ndërhyrjet me më pak ditë shtrimi në spital.
Një nga qendrat e ekselencës në nivel ndërkombëtar në fushën e pediatrisë, Instituti Giannina Gaslini, spitali pediatrik më i madh i veriut të Italisë, njohur për suksesin në kurimin e sëmundjeve të zemrës, do të trajtojë çdo vit 10 fëmijë shqiptarë që kanë probleme komplekse kardiake, të cilat kërkojnë ndërhyrje të specializuara. Kjo, falë marrëveshjes së firmosur mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Kërkimit Giannina Gaslini. Zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, negociator i marrëveshjes për palën shqiptare, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Institutit Gaslini dr. Paolo Petralia, kanë sigluar vetëm pak ditë më parë në Gjenova të Italisë.
Sipas marrëveshjes, instituti do të ofrojë asistencë, ku përfshihet jo vetëm numri prej 10 fëmijësh shqiptarë që do të trajtohen çdo vit, por dhe një ulje të tarifave spitalore në masën 30 për qind për të gjitha rastet e tjera të pacientëve shqiptarë që do të trajtohen pranë këtij spitali dhe në rrugë jo zyrtare. Një nga marrëveshjet më të rëndësishme që Ministria e Shëndetësisë ka lidhur me një institucion të huaj. Realizimi i kësaj marrëveshjeje është pjesë e politikave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë shqiptare. Pjesë e rëndësishme e këtyre ndryshimeve këtë vit do të jetë edhe ngritja e qendrës së parë hemodinamike shqiptare, pjesë e marrëveshjes më të fundit të nënshkruar me institutin Gaslini, tha zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia. Sipas tij, pjesë e rëndësishme e këtyre ndryshimeve këtë vit do të jetë edhe ngritja e qendrës së parë hemodinamike shqiptare. Kjo marrëveshje do të na ndihmonte shumë në ngritjen e qendrës së hemodinamikës, duke shkuar në një linjë dhe me një udhëzim që ka dhënë Kryeministri për ngritjen në Tiranës të një qendre rajonale për trajtimin e kardiopative të lindura. Deri tani të gjithë fëmijët që kanë pasur nevojë për kateterizëm kanë shkuar jashtë. Por me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe realizimin e qendrës së hemodinamikës pediatrike, ky problem pritet të gjejë zgjidhje duke bërë të mundur edhe shërimin e shumë pacientëve pa operacion, tha kardiokirurgu pediatër, Altin Veshti.
Kardiopatitë
Shqipëria ka një incidencë 8 për 1000 lindje të kardiopative të lindur, rreth 320 raste në vit, nga të cilat 95 për qind trajtohen në spitalin Nënë Tereza, përfshi këtu edhe 250 fëmijë që vijnë nga Kosova.
Instituti Gaslini
Është spitali më i madh pediatrik në veri të Italisë me 22 ndërtesa të vendosura në 73 000 metra katrorë sipërfaqe. Në të punojnë 2000 persona, mjekë, infermierë dhe kërkues shkencorë. Ofron të gjitha specialitetet pediatrike, laboratorë dhe katedra universitare të shumta. Një nga klinikat më referuese jo vetëm brenda Italisë, por edhe në rang ndërkombëtar
Shqipëri-Kosovë çdo vit rreth 570 fëmijë me vrimë në zemër burimi: Gazeta Shqip