Basha pjesë e garës për kreun e PD, Alibeaj: Çdokush ka të drejtë të kandidojë, procesi nuk i ka shërbyer atij

Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ndalur te situata në PD dhe rikthimi i ish-kryedemokratit Lulzim Basha, tha se çdokush ka të drejtë të kandidojë për kryetarin e partisë.
Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Alibeaj tha janë demokratët ata që do të vendosin me votën e tyre mes Bashës dhe Gjergj Hanit, ndërsa theksoi se me rëndësi është që të bëhet një proces i barabartë dhe transparent.
I pyetur nga gazetarët nëse procesi deri më tani i ka shërbyer Bashës, Alibeaj e mohoi një gjë të tillë.
“Çdokush ka të drejtën të kandidojë. Nëse i themi dikujt ik, është simptomë e post diktaturës. Nëse ka një sfidë, është a e bëjmë dot një proces të barabartë apo transparentë? PD nuk do jetë një parti që varet nga humori i një njeriu, apo se cila është shija e një njeriu. PD është organizatë që nuk varet vetëm se kush është në krye të saj. Secili kandidat do t’i nënshtrohet gjykimit të demokratëve. Nuk ka grupi parlamentar në atë që quhet procesi organizativ i partisë. Demokratët kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjen e tyre në një proces partiak. Nuk ka qenë një proces që i shërbente Lulzim Bashës”, tha Alibeaj.
Zgjedhjet për kreun e PD-së do të mbahen më 29 korrik, ndërsa në garë janë Lulzim Basha dhe Gjergj Hani. Ky proces duket se e ka përçarë edhe më shumë PD-në, pasi disa deputetë, përfshirë edhe kreun e grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, kanë shprehur kundërshti.
/rtsh.al/