E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha qetëson banorët e Laprakës: Këtu tek shinat e trenit do kalojë tramvaji

Share

Më në fund kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u shfaq në një inaugurim rruge. Ai mori pjesë në përfundimin e një segmenti prej 940 metrash në zonën e Laprakës, që i përket njësisë bashkiake numër 11.

Në fakt nuk është se fondet për këtë rrugë kanë dalë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, që supozohej se do të trefishohej këtë vit. Viti po mbaron dhe qytetarët nuk ia kanë parë hajrin këtij buxheti supergjigand. Por fondet janë dhënë nga qeveria e Berishës. Vetë Basha e pranoi këtë fakt.

Ndërtimi i kësaj vepre, që i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë, nëpërmjet fondeve të akorduara Bashkisë së Tiranës nga qeveria shqiptare, afro 500 milionë lekë dhe është një tregues i vëmendjes, që ne kemi rikthyer fuqishëm anembanë qytetit të Tiranës, kudo ku jetojnë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm në qendër, tha Basha.

Meqë rruga kalon përgjatë shinave të trenit, Basha premtoi se aty ku janë shinat do të kalojë shumë shpejt tramvaji. Dhe banorët do jenë ndjerë të qetësuar kur kanë parë se një gjurmë shinash të paktën është.

Pikërisht këtu ku ndodhemi ne, Plani i ri Urbanistik i Tiranës, i cili do të vijë për konsultim pranë gjithë qytetarëve, para se të marrë formën e tij të prerë parashikon kalimin e një prej projekteve strategjike, një prej linjave të tramit të Tiranës, pra zëvendësimin e kësaj linje të vjetër hekurudhore, me linjën moderne të tramit të Tiranës, tha Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›