Lazarati? Avioni special italian zbulon hashash edhe në veri
Jugu i vendit e veçanërisht Lazarati janë vendet kryesore të kultivimit të hashashit, por në hartën e lëndëve narkotike përfshihen edhe zona të ndryshme në veri, raporton Vizion Plus. Kjo është një tjetër zonë, e cila ndodhet pranë Vaut të Dejës, ku policia ka mundur të zbuloje një parcelë të mbjellë me plot 1 mijë rrënjë kanabis. Zbulimi i saj është bërë në saj të monitorimit nga ajri nga ky avion special, i vënë në dispozicion të policisë shqiptare nga Guardia Di Finanzza italiane. Ai bën të mundur fotografimin dhe identifikimin e bimëve narkotike nga ajri, duke dhënë koordinata të sakta për vendndodhjen e drogës. Pas konstatimit të kanabisit, operacioni vijon me ndërhyrje nga toka për asgjësimin e bimëve të lokalizuara, por në këtë rast kjo gjë ka qenë e pamundur nga toka, ndaj është shfrytëzuar kalimi me mjet lundrues në liqen. I gjithë operacioni ka qenë nën monitorim të Drejtorit të Përgjithshëm të policisë së shtetit, Hysni Burgaj, i cili së bashku me zëvendës ambasadorin italian Giuseppe Berlendi zhvilluan disa inspektime nga ajri. Para nisjes për këtë mision, kryepolici u shpreh se çdo i zgjedhur vendor apo punonjës i rendit që nuk do të sinjalizojë për parcelat me hashash, do të ndëshkohet. Ky lloj monitorimi nga ajri zbulon edhe përgjegjësinë e kryepleqve apo punonjësve të policisë që nuk raportojnë për bimët narkotike që mbillen në zonat e tyre.