Basha shfaqet sërish, rezolutë në PPE: Të krijohet fond ndërkombëtar për rindërtimin e Ukrainës

Plot një vit pasi dha dorëheqjen nga Partia Demokratike, Lulzim Basha shfaqet në një situatë që e lidh atë sërish me funksione drejtuese në partinë që udhëhoqi për 9 vjet.
Kjo rishfaqje e tij vjen në një kohë kur vete Basha ka një vit që nuk është aktiv në asnjë ngjarje politike në Tiranë. Së dyti, ajo pjesë e partisë që e mbështet Lulzim Bashën, kaloi një kalvar të vështirë regjistrimi ne Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pikërisht për procedurat që lidhen me emrin e tij dhe së treti, Shqipëria zien nga ethet e fushatës elektorale.
Një njoftim i zyrës së shtypit të grupimit që drejtohet tani nga Alibeaj, tregoi këtë të enjte (30 mars) se Basha nuk është aq joaktiv sa shfaqet në Shqipëri.
Ai po udhëheq një inisiativë në Asamblenë Parlametare të Këshillit të Evropës në cilësinë e anëtarit të grupit të Partive Popullore, duke dorëzuar një Rezolutë që mbështet rindërtimin e Ukrainës.
Pjesë e kësaj liste politikanesh evropiane që nis me emrin e Lulzim Bashës të dorëhequr nga politika aktive në Tiranë, janë edhe 23 përfaqësues të tjerë, mes tyre George Papandreu dhe Piero Fasino.
Sipas dokumentit, rezoluta është protokolluar 6 ditë më parë dhe përmes kësaj rezolute kërkohet:
Krijimi i një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e Federatës Ruse për të paguar projektet e infrastrukturës në Ukrainë si dhe transferimi i kapitaleve të ngrira të Federatës Ruse në fondin ndërkombëtar.
Kjo rezolutë ku shenjëstrohen asetet ruse për të rindërtuar Ukrainën, publikohet në një kohë të ngarkuar me akuza edhe për Bashën, emri i të cilit edhe nga brenda opozitës është lidhur disa herë me financimet ruse në politikën shqiptare.
Gazetare: Sonila Agustini
/rtsh/