E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Parlamenti përjashtoi sërish nismën tonë për lustracionin! Prej një viti bllokohet edhe rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur mëngjesin e kësaj të enjte (30 mars) deputetët demokratë, pjesë e Komisionit të Rithemelimit, teksa tha se parlamenti ka përjashtuar sërish nismat e tyre, duke përmendur ligjin e lustracionit.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se ligji i lustracionit është i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës, teksa shtoi se ligji, sipas tij, ka bazë të plotë kushtetuese. Berisha thekson se ata do të insistojnë sërish për sjelljen e këtij ligji në parlament.  

“Përsëri parlamenti përjashton nga shqyrtimi nismat tona në një qëndrim politik të dënueshëm, antikushtetues. Në parlament nuk sillet ligji i lustracionit, një ligj i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës komuniste. Ligji tani ka bazë të plotë kushtetuese sepse në Kushtetutën e vendit ky nen tani është i sanksionuar pavarësisht se është shkelur dhe nuk zbatuar nga institucionet socialiste të sistemit të drejtësisë. Ideja e zëvendësimit të këtij neni me një ndërhyrje në kodin zgjedhor, është një ide hakmarrëse. Ne do të insistojmë për sjelljen e këtij ligji, që ka standardet më të mira dhe që tani nuk mund të ketë asnjë pengesë tjetër meqenëse është i sanksionuar në Kushtetutë si proces. Mossjellja e ligjit ka vetëm një synim, përdorimin e amendamentit të Ballës, të cilin e mbështeti edhe AliBasha, për gjah shtrigash. Ligji ka rregullat e veta, ka procedurat e veta dhe transparencën e plotë”, tha Berisha.

Ai u ndal edhe te rezoluta për gjenocidin serb, teksa tha se prej një viti po bllokohet dhe nuk paraqitet as për shqyrtim në komisione, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama si “argat i Vuçiçit”.

“Problemi i dytë madhor që bllokohet prej pothuajse një vit, është rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë. Kjo rezolutë e dorëzuar nga deputetët tanë nuk paraqitet as për shqyrtim në komisione. Të ishte agjente e betuar e Beogradit, Linda e parlamentit ndryshe nuk mund të sillej. Natyrisht është apo nuk është, atë nuk e di se nuk kam të dhëna, por di që Edi Rama është një argat i Vuçiçit. Di që ai e bllokon këtë totalisht me urdhër të tij. Gjenocidi serb në Kosovë është një gjenocid ciklik, aktet e fundit të këtij gjenocidi u kryen me operacionin Patkoi gjatë luftës së vitit 1999. Por gjenocidi serb është i dokumentuar jo vetëm në trevat e Kosovës, por ai është plotësisht i dokumentuar edhe në fshatrat e Lumës. Barbaritë serbe në Lumë dhe zonat përreth kanë tronditur botën në atë kohë. Komisioni i ngritur për të hetuar shkaqet dhe krimet e luftës, i përbërë nga personalitete të shquara, ka konkluduar se barbaritë e Lumës janë gjenocid”, u shpreh ish-kryeministri.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Kuvendi nuk do të shqyrtojë asnjë nismë që mbanë firmën e Sali Berishës, për shkak se ai është person i shpallur “non grata” nga SHBA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›