Basha takim online me drejtues të Partisë Konservatore britanike: Garatojmë anëtarësim në BE!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi këtë të hënë një komunikim online me kryetaren e Partisë Konservatore Britanike të kryeministrit Johnson dhe këshilltarin e bordit të tregtisë në Britani, Daniel John Hannan. Kreu i opozitës u shpreh se motoja e PD në fushat bazohet tek nevoja për ndryshim, përmes së cilës Shqipëria të jetë në gjendje të garantojmë rritje ekonomike dhe të ecim të sigurt drejt anëtarësimit në BE. “Ne kemi marrë që nga fillimi vendimin për të filluar një fushatë pozitive që përqendrohet në problemet e vendit dhe në zgjidhjet e këtyre problemeve. Pas 8 viteve të qeverisjes socialiste që ka premtuar shumë por nuk ka bërë asgjë dhe e ka lënë vendin në vendnmëro në çdo fushë, te gjithë kerkojnë ndryshim. Dhe kjo është bërë motoja jonë: nevoja për ndryshim, bashkimi për ndryshim përmes së cilës ne do të jemi në gjendje të garantojmë rritje ekonomike, prosperitet dhe të ecim të sigurt drejt anëtarësimit në BE. Ju po përballeni në Britaninë e Madhe me numrin më të madh të shqiptarëve që emigrojnë në MB në 8 vitet e fundit. Kemi humbur gjatë 8 viteve të fundit rreth gjysmë milioni bashkëqytarë në një vend me 3 milion, kjo është absolutisht katastrofë” – tha zoti Basha.
Kryedemokrati Lulzim Basha e ndali theksin edhe te mbështetja për bizneset dhe ulja e taksave për ta.“Në thelb të këtij plani është përmirësimi i klimës së biznesit, taksa e sheshtë 9%, ulja e taksave për të gjithë njerëzit dhe bizneset, çka do të ndikojë në veçanti te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë shumica dërrmuese e ndërmarrjeve në Shqipëri. Ato janë palca e ekonomisë shqiptare për të ndihmuar gjithashtu krijimin e një klime që do të sjellë investime në Shqipëri dhe ne jemi shumë të interesuar të krijojmë një klimë pozitive, të sjellim investime në Shqipëri dhe natyrisht të përqendrohemi në një arsimim më të mirë për të rinjtë. Sepse në mënyrë që investimet të vijnë këtu, ata duhet të kenë një klimë biznesi konkurruese, të favorshme dhe taksa të ulëta por gjithashtu një forcë pune profesionale dhe të trajnuar mirë. Ne po i japim shumë rëndësi në planin tonë trajnimeve ose kualifikimeve profesionale për të rinjtë tanë, në ato zona ku ne i shohim mundësi. Sundimi i ligjit, aftësia konkurruese, klima miqësore e biznesit, taksa e sheshtë dhe më e rëndësishmja trajnimi i të rinjve tanë në mënyrë që të bashkohen, të harmonizohen, për të bërë të mundur që investitorët perëndimor të gjejnë mundësi për të bërë investime këtu në Shqipëri dhe për të rinjtë shqiptarë të gjejnë mundësi në vendin tonë, të qëndrojnë këtu, të kenë një punë të denjë me paga të mira dhe të jenë në gjendje të krijojnë familjet e tyre dhe të jetojnë jetën e tyre në vendin tonë të bukur, sepse është një vend i bukur dhe meriton shumë më mirë.” tha ai.