Meta: Prokuroria të hetojë publikimin e të dhënave të qytetarëve!

Në një konferencë për shtyp Presidenti Ilir Meta tha me tone të ashpra se i ka kërkuar prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për publikimin e të dhënave personale të qytetarëve. “U bënë 7 ditë që i kam kërkuar Prokurorisë nisjen e hetimit mbi keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe të bazës së të dhënave shtetërore nga PS”. “Zotërinj prokurorë, duhet të merrni në pyetje të gjithë patronazhistët tuaj që ju janë caktuar juve. Duhet të zbardhet e gjithë e vërteta, që për mua është e zbardhur, sepse jeta personale dhe intime, të drejtat dhe interesat e shqiptarëve janë në një rrezik madhor.”apeloi zoti Meta duke bëre me faj kryeministrin Rama për publikimin e të dhënave. “Dua të të pyes ty drejtpërdrejt Edi Rama, si kryeministër aktual. Me ç’të drejtë ke marrë të dhënat personale të shtetasve shqiptarë? Me çfarë guximi keni vendosur epitete dhe komente mbi problemet apo qasjet që kanë qytetarët? Me ç’të drejtë u ke caktuar qytetarëve nga një spiun, fuks, për t’u futur në jetën personale, në jetën intime të qytetarëve, për t’i shantazhuar ata, për t’i dhunuar të drejtën e votës!? Me çfarë të drejte ti Edi Rama diskriminon shqiptarët për nga përkatësia etnike, raca, gjinia, feja, bindjet politike, gjendja ekonomike, arsimore, duke vendosur në bazën e të dhënave lloj-lloj epitetesh!? Edi Rama, kush do të mbajë përgjegjësi nëse të dhënat do të keqpërdoren nga kriminelët, në nivel ndërkombëtar? A e mendon ti Edi Rama se me këtë që ke bërë, i ke hapur dyert krimit kibernetik? A mendon ti Edi Rama se duke ekspozuar të dhënat personale të njerëzve, i ke zhveshur ata dhe i ke nxjerrë lakuriq, siç të pëlqen ty të rrish, para krimit?” tha presidenti.
Sipas presidentit Meta opozita do të fitojë mbi 90 mandate. “Kush ka qejf të bëhet kurban për armiqtë e Shqipërisë, le të bëhet! Unë e kam bërë zgjedhjen time. Unë jam me Shqipërinë, me shqiptarët. Duan të na mbushin mendjen që sondazhet janë aty-aty? Të gjitha sondazhet pa përjashtim janë të blera nga Edi Rama. Opozita ka mbi 90 mandate. Po të dojë të shesë opozita mandatet e saj, le t’i shesë, por nuk ka për ta lënë Ilir Meta as këtë gjë. Do të vazhdoj punën time. Mbi 90 mandate merr opozita. Unë u dal borxhit të gjithëve. Ja mbajeni mend këtë gjë po deshët. Po të mos ishte kjo situatë, pse duhet të bëheshin gjithë këto gjëra?” tha zoti Meta.